Zyrtarët ikin nga puna, dalin në fushatë zgjedhore

10:10 | 19 Tetor 2017
Arbresh.info

Fushata elektorale ka bërë që një numër i kandidatëve garues për zgjedhjet e 22 tetorit të cilët aktualisht mbajnë poste të ndryshme në pushtetin lokal, të mos respektojnë orarin e punës. Njohësit e çështjeve ligjore thonë se garuesit megjithatë duhet ta respektojnë orarin e punës.

Partitë politike që po garojnë për zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë, në listat për asamble apo edhe kryetarë komunash, kanë angazhuar kandidatë të cilët po ashtu janë të zgjedhur nëpër pozita si ministra, drejtorë të departamenteve, nënkryetarë etj.

Albulena Nrecaj nga Iniciativa për Progres (INPO), tha se këta kandidatë që mbajnë pozita, aktivitetet e fushatës duhet t’i mbajnë pas orarit të punës në mënyrë që ta respektojnë orarin.

“Kanë të drejtë të marrin pjesë në fushatë vetëm se duhet ta respektojnë orarin e punës ku marrin pagë”, ka thënë Ndrecaj.

Mirëpo një ngecje në këtë çështje është vërejtur në Komunën e Prishtinës, ku ish drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka dhënë dorëheqje, pasi është zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës, komuna nuk ka emëruar ende një drejtor tjetër.

Radio Kosova edhe pse ka provuar disa herë të marrë një deklaratë nga zyrtarë të komunës, rreth emërimit të drejtorit të ri, një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Mirëpo, Albulena Nrecaj nga Iniciativa për Progres e arsyeton mos-zëvendësimin e Nagacvit.

“Pasi që jemi në zgjedhje nuk ka qenë i nevojshëm zëvendësimi, pasi që cili kryetar që vjen e riemëron prapë dikë tjetër’’, ka thënë Ndrecaj.

Edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi tha për Radio Kosovën se ligjërisht asnjë qytetari të Kosovës nuk i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje. “Kanë të drejtë të garojnë”, deklaroi ai.

Kandidatët, të cilët pas shpalljes së rezultateve marrin votat e mjaftueshme për një pozitë të caktuar, duhet të përcaktohen për pozitën që e mbajnë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme