Zhvillimi ekonomik, shtylla kryesore e programit të LDK-së

00:10 | 2 Qershor 2017
Trina Galanxhi

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se zhvillimi ekonomik është shtylla kryesore e programit të saj qeverisës.

Në Interaktiv të KTV-së, Arban Abrashi nga LDK ka thënë se zhvillimi ekonomik, punësimi si dhe sundimi i ligjit janë pikat kryesore të programit.

“Shtylla kryesore ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Sundimi i ligjit është shtyllë tjetër kyçe e programit tonë. Shumica e ideve janë për zhvillimin ekonomik”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, autori i emisionit Rubikon në KTV, Adriatik Kelmendi, ka kritikuar LDK-në për mungesën e publikimit të programit për qytetarët.

“Do të doja të kishim më shumë shpalosje të programit. Programi nuk është online dhe keq që nuk është publikuar. Duhet të jetë sa më i qasshëm. Kanë deklaruar se do të kemi program të qasshëm, por ai që ka bërë më së shumti bujë është buxheti. Sipas deklaratave i bie që për një mandat të udhëheqjes së kryeministrit eventual Avdullah Hoti, është se do të bëhet 5 miliardë. Kjo i bie të rritet çdo vit nga 30 për qind”, ka deklaruar Kelmendi.

Si përgjigje ndaj tij, Abrashi ka përmendur Pakon Fiskale 2, që sipas tij do të ketë efekte të mëdha në zhvillimin ekonomik.

“E kemi gjetur buxhetin 1.4 miliardë me 200 milionë euro borxhe. Për dy vite e kemi bërë buxhetin prej 2 miliardë euro. Kjo punë e mirë duhet të vazhdojë. Duhet të nisim me ‘Pakon fiskale 2’. Nga pakoja e parë kemi vërtetë efekte të prekshme”, ka thënë Abrashi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme