Veseli: Malisheva meriton një qeverisje të dinjitetshme

16:53 | 28 Shtator 2017
Arbresh.info

PDK në Malishevë ka mbajtur tubimin zgjedhor në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale Në tubim ka marrë pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili bashkë me kandidatin e PDK-së për Kryetar të Malishevës, Mursel Gashi, kanë vizituar biznese të ndryshme për ta shpalosur platformën për qeverisjen në këtë qytet.

Veseli ka thënë se Malisheva është qendër e lirisë së vendit, që ka dhënë shumë për Kosovën dhe meriton një qeverisje të dinjitetshme. Andaj, theksoi ai, kjo do të ndodhë me PDK-në dhe kryetarin Mursel Gashi.

Veseli theksoi se PDK-ja është forca e ndryshimit të madh në çdo cep të vendit, me programin ekonomik të saj.

“Mursel Gashi do të jetë fitues i garës për Kryetar të Malishevës. Doktori ka çka t’i ofrojë Malishevës. Do të vazhdojmë sukseset, pa e përjashtuar asnjë forcë politike. Do të bashkëbisedojmë me qytetarët në çdo pjesë të Malishevës. Malisheva i ka dhënë shumë Kosovës dhe do të punojmë shumë në këtë qendër të lirisë së Kosovës”, ka thënë Veseli.

Nga ana tjetër, kandidati i PDK-së për Kryetar të Malishevës, Mursel Gashi, ka thënë se përkujdesja dhe qeverisja e dinjitetshme dhe transparente për banorët e Malishevës do të marrë besimin më 22 tetor.

“Ne po shohim një entuziazëm dhe një vullnet të jashtëzakonshëm gjithandej në Malishevë dhe po ashtu jemi shumë të lumtur që për projektet tona kemi mbështetjen e fuqishme të kryetarit Veseli dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme