Shpend Ahmeti dënohet me 2 mijë euro për foto me fëmijë në fushatë

15:41 | 14 Tetor 2017
Arbresh.info

 Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dënoi përsëri kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Kësaj here, Ahmeti është gjobitur me 2 mijë euro për përfshirje të fëmijëve në fushatën zgjedhore.

Ankesa e BIRN dhe Internews Kosova ndaj Shpend Ahmetit, për përfshirje të fëmijëve në fushatë është pranuar si e bazuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Ahmeti kishte shpërndarë në faqen e tij në Facebook fotografi me fëmijë të shkrepura gjatë një tubimi publik me karakter zgjedhor.

Këto foto, pas ankesës së BIRN dhe IKS pranë PZAP-it ishin fshirë nga llogaria e Ahmetit.

Paneli, në arsyetimin e vendimit, ka gjetur se shpërndarja e fotografive të tubimit zgjedhor në të cilat ishin përfshirë edhe fëmijë paraqet shkelje të rregullave zgjedhore.

Ndërkaq, fshirja e këtyre fotove më pas ka ndikuar në lartësinë e gjobës së shqiptuar.

Neni 5.2 i Rregullës Zgjedhore Numër 13/2013 përcakton kategoritë e njerëzve që nuk kanë të drejtë të shfaqen në fushata zgjedhore, në mesin e të cilëve edhe personat që nuk kanë mbushur 18 vjet.

Kujtojmë që Ahmeti është gjobitur me 1,500 euro javën e kaluar nga PZAP-i për shkelje të Kodit të Mirësjelles duke bërë fushatë në objekt publik.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas vendimit, obligohet të paguajë gjobën prej 2 mijë eurove në afat prej 15 ditësh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme