Tryeza e katërt me radhë e LDK-së me bizneset u mbajt në Pejë, ku kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se për këto katër vjet qeverisje kemi treguar se jemi liderë në zhvillimin ekonomik, kemi punuar shumë, ndërsa platforma jonë për mandatin e ardhshëm do të mbështetet në 15 shtylla.
Ai ka theksuar se shtylla kryesore do të jetë turizmi, pastaj bujqësia dhe arsimi si sektor që i ndihmon dy të parët.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se LDK ka punuar shumë me ekspertët e saj për të krijuar platformën për secilën komunë, varësisht nga specifikat e tyre.
“Kemi vlerësuar se prioritet i qeverisjes lokale duhet të jetë zhvillimi ekonomik lokal, pasi llogarisim se gjithçka duhet të ndërtohet mbi bazën e këtij zhvillimi”, ka theksuar Mustafa.
Ai ka shtuar se, tryezat e mbajtura deri tani, në Prishtinë, Prizren e Gjakovë kanë treguar se kjo ide e shpalosjes së platformës është e qëlluar, ndërkohë që ka shprehur bindjen se do të tregojë efektet e saj në zhvillimin e komunave, të cilat natyrisht që do ta forcojnë lidhjen edhe me nivelin qendror.
Mustafa e ka vlerësuar lart kontributin e aktivistëve të LDK-së derisa është shprehur optimist se në zgjedhjet e 22 tetorit, LDK-ja do të dalë me rezultate shumë të mira.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka përsëritur faktin që është hera e parë që një parti politike po i qaset zhvillimit ekonomik lokal me këtë lloj platforme dhe këtë po e bën LDK-ja.
Punësimi i të rinjve, përkrahja e tyre në biznese, çështjet e urbanizmit, infrastruktura, arsimi, ambienti e të tjera janë vlerësuar si prioritete të programit qeverisës të LDK-së.
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur më hollësisht për platformën e zhvillimit ekonomik lokal. “Në një kohë kur jemi në fushatë intensive, fokusimi në takimet dhe bisedat me bizneset tregon qartë se LDK-ja është adresa e vetme në Kosovë kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik”, ka thënë Abdixhiku, i cili më pas ka shtuar: “Ne i kemi ndërtuar dhjetë shtylla, të cilat normalisht mund të zbatohen në bazë të specifikave të komunave”.
Zhvillimi dhe funksionimi i zonave ekonomike, rishikimi i taksave komunale (ulja e tatimit në pronë në secilën komunë që do të qeverisë LDK-ja dhe digjitalizimi i pagesave), rritja e financimit komunal (gjetja e mundësive për rritjen e buxhetit komunal pa u varur krejtësisht nga qeveria), rregullimi urban në funksion të zhvillimit të biznesit, mbrojtja e ambientit, transporti e infrastruktura, subvencionimi i prodhimeve dhe bizneseve vendore, bujqësia dhe zhvillimi rural gjithëpërfshirës, shërbimet publike efikase, dhe fundit, arsimi parauniversitar për zhvillim ekonomik (arsimi tërëditor nëpër shkolla dhe lidhja e mësimit teorik me atë praktik), janë pikat e platformës zhvillimore të LDK-së, për të cilat Abdixhiku ka folur veç e veç.
Deputetja Hykmete Bajrami gjatë diskutimit të saj rëndësi të veçantë i ka kushtuar bujqësisë, sektor për të cilin ka premtuar angazhim të madh edhe në Kuvendin e Kosovës. Ajo ka kërkuar që komunat të kenë më tepër kompetenca pasi qendra ka distancë të madhe me fermerët.
“Drejtoratet e komunave mund t’i vizitojnë shumë më shpesh fermerët dhe kjo mund të jetë shumë më racionale si dhe të ketë ndikimin e vet”, ka thënëdeputetja Bajrami, e cila ka shtuar se në Pejë dhe Istog është krijuar infrastruktura dhe tani duhet kaluar në një fazë më të avancuar të zhvillimit.
“Ajo që na dallon nga të tjerët është fakti që LDK-ja të gjitha politikat ekonomike dhe fiskale i bën në konsultim me komunitetin e biznesit”, ka theksuar Bajrami.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ndër të tjera ka thënë: “Kemi punuar shumë në tre vjetët e kaluar për të realizuar projektin ‘Borea’, i cili i mundëson Komunës së Pejës zhvillim të hovshëm ekonomik. Projekti i teleferikut i mbështetur edhe nga bujqësia e mundëson hapjen e shumë vendeve të punës dhe shndërrimin e Pejës në një destinacion të rëndësishëm turistik. Këto dy sektore ne i shohim si asete të rëndësishme të zhvillimit të tërë Rajonit të Dukagjinit”.
Muhaxheri ka folur edhe për shumë projekte tjera, të parapara për mandatin e ri qeverisës.
Haki Rugova, kryetar i Komunës së Istogut, ka theksuar se një komunë e vogël si Istogu, nëse investon mbi 20 milionë euro vetëm për investime kapitale është diçka që nuk mund të nënvlerësohet.
Ai ka shtuar se Istogu është në përfundim të infrastrukturës bazike, e cila ka nevojë edhe për disa intervenime, derisa ka njoftuar se projektet e mëdha për katërvjeçarin e ardhshëm kanë të bëjnë me bujqësinë dhe turizmin, e po ashtu ka premtuar përkrahje të parezervë për bizneset.
Në diskutim ka marrë pjesë edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Klinës, Besim Hoti. Ai e paraqitur vizionin e tij për zhvillimin e Klinës. Administrata e mirëfilltë komunale, turizmi, bujqësia, arsimi, infrastruktura e të tjera zënë vend të rëndësishëm në programin e tij qeverisës. Krijimi i bazës ligjore për krijimin e ndërmarrjeve të reja, lehtësimi i procedurave administrative dhe përkrahja shumë më e madhe e bizneseve, aktiviteti për inkurajim të mërgimtarëve për të investuar, objektivat për mbrojtjen e ambientit, përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore dhe shumë pika tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e Klinës janë pjesë përbërëse të programit të tij.
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...