Mustafa fton Drenicën që ta provojë qeverisjen dhe programin e LDK-së

18:06 | 27 Shtator 2017
Arbresh.info

Gjatë një tubimi me qytetarët e Skenderajt, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka kërkuar nga banorët e Drenicës që në zgjedhjet e 22 tetorit ta provojnë qeverisjen dhe programin e LDK-së.

“Të gjitha komunat që janë qeverisur nga LDK-ja në katër vitet e fundit, janë dëshmuar për transparencë dhe qeverisje të mirë. Jam i bindur se përfundimisht edhe Drenicës i bën mirë një qeverisje e LDK-së. Ne gjithmonë e respektojnë verdiktin e qytetarëve, por jemi të interesuar që qytetarët e kësaj komune një herë të provojnë programin e LDK-së dhe nëse provojnë njëherë, besoj që do të vazhdojnë ta votojnë edhe më tutje”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se kandidati i LDK-së për kryetar komune, Isa Fejzullahu, dhe kandidatët e tjerë për asamble komunale janë zgjidhja më e mirë për Skenderajn, thuhet në njoftimin e LDK.

“Ne jemi të bindur se LDK do të shënojë suksese në shumicën e komunave të Kosovës. Nuk po them të gjitha komunat, sepse gjithmonë duhet të lëmë vend për demokraci, për një diversitet partiak, diversitet të mendimeve dhe programeve. Jam shumë i bindur se si parti ne jemi stabilizuar në gjithë Kosovën, sepse në të gjitha komunat që kemi qeverisur gjatë këtyre katër viteve, qeverisja e LDK-së është treguar shumë e suksesshme”, ka thënë kryetari i LDK-së, transmeton lajmi.net.

Ai ka shtuar se në të gjitha komunat e qeverisura nga LDK janë dhënë dëshmi në rend të parë për qeverisje të mirë, investimet që janë bërë në interes të qytetarëve, kujdesi ndaj fushës së arsimit, punët në fushën e shëndetësisë, në infrastrukturë, në sektorin e rinisë, kulturës, sportit etj.

Kandidati për kryetar të Skenderajt, Isa Fejzullahu, ka thënë se programi i tij është i bazuar në nevoja qytetare për zhvillim ekonomik.

Ai ka premtuar administratë lokale të depolitizuar dhe bashkëkohore. “Do të krijojmë lehtësira për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Ne synojmë krijimin e një administrate publike efikase dhe transparente, ku fëmijët tanë të kenë një arsim cilësor të bazuar në metoda bashkëkohore”, ka thënë Fejzullahu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme