Limaj: Nuk ia kam frikën Vuçiqit e Daçiqit, i kam mundur në luftë

20:01 | 8 Qershor 2017
M. A.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka komentuar një vizitë të tij ditë më parë në veri të vendit.

Limaj ka thënë se nuk frikësohet nga Serbia dhe udhëheqësit e saj.

Limaj i cili në luftë mbante nofkën “Komandant Çeliku” ka thënë se nuk ka kurrfarë ndjenje inferioriteti në raport me Serbinë.

“Në luftë i kam mundë dhe nuk kam kurrfarë kompleksi ndaj tyre. Unë jam për dialog me të gjitha fqinjët për çdo temë. Por, jo për dialog siç e kanë zhvilluar Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi”, ka thënë Limaj.

Limaj në tubimin zgjedhor me qytetarët e Prishtinës u ka kërkuar atyre që të mos e shajnë shtetin në asnjë variant, pavarësisht zhgënjimeve.

“Pavarësisht zhgënjimeve qe mund t’i keni mos e shani shtetin. Ka ardh koha më u lidhe me njerëzit dhe jo me emrat e partive. Emrat e partive nuk e zgjedhin problemin”, ka shtuar Limaj.

Ai është zotuar se përfaqësuesit e Nismës në qeveri do të punojnë me përulje dhe me respekt në shërbim të detyrës qe kanë marrë.

Tutje, Limaj ka thënë se ka ardhë koha për t’i përvjele duar e jo për të treguar muskujt.

“Për herë të parë kemi pasur një opozitë të bashkuar dhe nisma ka qenë urë e lidhjes brenda opozitës. Është koha për të lëvizur dhe m’i dhënë drejtim vendit. Me Nismën në qeveri ky do të jetë vizioni politik. Dhe ky është ndryshimi ynë fundamental qe e bën Nismën ndryshe nga të tjerët. Për neve shteti është i shtrenjte”, ka theksuar Limaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme