Konjufca: Çkapja e shtetit nga PDK-ja, jo më pak se çkapje nga LDK-ja

00:04 | 8 Qershor 2017
Trina Galanxhi

Kandidati për deputet në radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në Interaktiv të KTV-së ka thënë se partia që ai përfaqëson është shpresa e vetme e popullit për ndryshim.

Ai ka thënë se Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma u tregua joparimor duke hyrë në koalicion me PDK-në, derisa për LDK-në ka thënë se, “çkapja e shtetit nga PDK-ja është jo më pak se çkapje nga LDK-ja”.

“Nuk jemi të vetmuar, por jemi të vetmit në shpresën e popullit për ndryshime. Këto koalicione kishin vendosur deklarata shumë pompoze. Më 10 maj Haradinaj kishte thënë se asnjëherë nuk do të hynte me PDK-në. Dhe këtë e jepte si diçka parimore, por në momentin që iu dha posti i kryeministrit atëherë ai i ndryshoi parimet. Këto janë koalicione të interesit. LDK-ja u mundua që ta vendoste Lëvizjen tonë fajtore për ndryshimet që nuk po vijnë. Në takim me LDK ishin Kujtim Shala e Gazmend Muhaxheri. E gjitha që kërkuan nga ne ishte të kishim mirëkuptim në fushatë. Çkapja nga shteti e PDK-së është jo më pak se çkapja nga LDK-ja”, ka thënë ai duke sqaruar vendimin e VV-së që të hyjë e vetme në zgjedhje.

Anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, ka folur edhe për sondazhet e fundit. Ai ka thënë se Vetëvendosje pret dyfishim të votave.

Kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, Agron Bajrami, thotë se vendimi i VV-së që të mos hyjë në asnjë koalicion parazgjedhor e bën atë përfituesen e vetme në Kuvend.

“Vendimi i gjykatës kushtetuese në vitin 2014 ka kushtëzuar koalicione të tilla, që të synohet të dalin të parat në zgjedhje. Qëllimi është të arrihet maksimumi i votave për të pasur të drejtën për të bërë qeverinë, jo qëllim koncepti. Vetëvendosje do të jetë përfituese sepse do të jetë qartë e identifikuar në Kuvend sepse dihet se çka ka fituar, për dallim nga koalicionet që nuk do të dinë nga sa kanë fituar secila parti brenda koalicionit”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme