Google ADS

Hoti nënshkruan Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

15:21 | 1 Qershor 2017
Arbresh.info

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, e ka nënshkruar të  enjten Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me Koalicionin  e OJQ-ve KOMF.

Në deklaratën e nënshkruar me Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e  Fëmijëve – KOMF, Hoti zotohet për përfshirjen e fëmijëve në qendër të  agjendës qeverisëse pas zgjedhjeve.

“Më vjen shumë mirë që jam i pari nga kandidatët në këto zgjedhje që e  nënshkruaj këtë deklaratë dhe atë pikërisht më 1 qershor që është një  ditë e veçantë për fëmijët. Unë zotohem se do t’i shtyjë përpara të  gjitha pikat e Deklaratës për Fëmijët që e kam nënshkruar sot”, ka thënë  Hoti.

Ai ka shtuar se një pjesë e madhe e këtyre zotimeve “veç janë pjesë e  programit tonë, si pjesëmarrja në arsimin parashkollor, kujdesi i nënës  ndaj fëmijës për 12 muaj pas lindjes, që do të jetë pushim prindëror,  sepse në jetë nuk ka gjë më të çmuar se fëmijët”.

Hoti ka thënë se te pjesa e ligjeve kemi përfunduar bukur shumë tek ato  që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve. Donjetë Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive në KOMF ka thënë se fëmijët në

Kosovë përbëjnë 30% të popullsisë së përgjithshme dhe jetët e fëmijëve  në Kosovë ndikohen çdo ditë nga politikat e Qeverisë, Kuvendit dhe nga  veprimet e tyre.

Ajo ka thënë se ka nevojë për deklarimin e buxhetit në mënyrë  transparente në fushat, të cilat prekin fëmijët dhe mbrojtjen e tyre,  duke bërë të njohur investimet në fushën e arsimit, shëndetësisë, rritjen e buxhetit për skemat dhe shërbimet sociale për fëmijët në  nevojë.

“Proceset transparente dhe të qasshme për të pasur pikëpamjet e fëmijëve  në procesin e buxhetimit duhet të krijohen”, ka thënë Kelmendi.

Ajo ka theksuar nevojën për krijimin e planeve konkrete për politikat e  nevojshme dhe investimet për të siguruar shërbime cilësore shëndetësore,  përfshirë implementimin e fondit për sigurime shëndetësore, sigurimin e  qëndrueshmërisë së fondit për fëmijët me sëmundje të rënda e që kërkojnë  trajtim adekuat jashtë shtetit dhe sigurimin që barnat nga lista  esenciale nuk do të mungojnë asnjëherë./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme