Google ADS

Hoti: Kosova A do të dekomisionohet, Kosova B do të riparohet

12:01 | 8 Qershor 2017
Arbresh.info

Gjatë një vizite që i bëri të enjten Korporatës Energjetike të Kosovës  (KEK), kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah  Hoti, ka thënë se programi i tij në fushën e energjisë parasheh  dekomisionimin e termocentralit Kosova A, riparimin rrënjësor të Kosovës  B dhe ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.

“Reforma që është arritur në prodhimin e energjisë elektrike ka qenë  mjaftë pozitive. Programi ynë parasheh dekomisionimin e Kosovës A,  rikonstruimin e Kosovës B dhe ndërtimin e termocentralit të ri Kosova e  Re”, ka thënë Hoti.

“Unë sot jam këtu për të siguruar stabilitet të kësaj ndërmarrjeje. Nuk  kemi ardhur për të premtuar rritje të pagës, sepse ai është vendim i  menaxhmentit, por ne do të ofrojmë mbështetje të fuqishme teknike dhe  financiare për të zhvilluar kompaninë dhe për të përmirësuar kushtet e  punës”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se një nga detyrat prioritare në sektorin e energjisë dhe  mjedisit do të jetë zhvillimi  përmirësimi i mekanizmave të nevojshëm  rregullator dhe operacional për arritjen e cakut prej 25% të pjesëmarrjes së energjisë nga burimet e ripërtëritshme deri vitin 2020.

“Do të veprohet në nxitjen e mëtejme të burimeve të ripërtëritshme të  energjisë, në pajtim me potencialin, obligimin dhe nevojat, si dhe  karshi zhvillimeve dhe përvojës evropiane. Do të përcaktohen modalitetet  e investimeve për realizimin e rehabilitimit. Rehabilitimi i TC Kosova B  do të bëhet pas hyrjes në operim të TC Kosova e Re”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se dekomisionimi i TC Kosova A, ose pjesëve të saj, do të bëhet pas studimit të alternativave të reja të gjenerimit plotësues, të  kërkesave në tregun e energjisë elektrike dhe pasi të sigurohet  furnizimi i qëndrueshëm me ndërtimin e Termocentralit Kosova C.

Arben Gjukaj, drejtor i përgjithshëm i KEK-ut ka thënë se nga kandidati  për kryeministër ne morëm premtimin për mbështetje të vazhdueshme. “Ne  në pika të shkurtra e njoftuam për sfidat dhe problemet me të cilat  përballemi. Morëm premtimin që në të ardhmen këto sfida t’i tejkalojmë  së bashku me synimin që ne të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarin  dhe me çmime të përballueshme”, ka thënë Gjukaj.

Rafet Osmani, kryetar i sindikatës së punëtorëve të KEK-u ka thënë se  kjo është ndër korporatat më stabile dhe profitabile në vend, por ne  kemi nevojë për mbështetje të vazhdueshme./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme