Hoti: Do ta dyfishoj buxhetin për shëndetësi

12:16 | 7 Qershor 2017
Arbresh.info

Gjatë një vizite që iu ka bërë disa reparteve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën se programi i tij parasheh dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë dhe ofrimin e barnave falas për qytetarët nëpërmes Fondit të Sigurimit.

“Pa buxhet nuk ka shëndetësi. Plani ynë parasheh dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë. Në këtë kuadër do të themelohet Fondi për Sigurim Shëndetësor, i cili përveç tjerash, do të rimbursojë barnat për qytetarët nëpërmes skemës së barnave jashtëspitalore”, ka thënë Hoti.

Ai është zotuar se do ta mbulojë me fonde 100% barnat nga lista esenciale dhe asnjë pacient nuk do të blejë më barna dhe material spitalor nga Lista esenciale e barnave.

“Prioriteti ynë do të jetë fuqizimi i diagnostikës në QKUK. Pacientët nuk do të presin më për të bërë CT ose rezonancë magnetike dhe analizat e tjera. Nuk do të tolerojmë asnjë ditë të vetme që rezonanca të mos funksionojë”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se do të fuqizohen edhe shërbimet e shëndetësore shtëpiake për të moshuarit, të sëmurit nga kanceri, personat me nevoja të veçanta si dhe pacientë me sëmundje të rënda kronike.

“Ne do ta fuqizojmë shumë edhe programin parandalues shëndetësor, nëpërmes vaksinimit dhe forcimit të sistemit të parandalimit të sëmundjeve dhe do ta zbatojmë implementimin e plotë të sistemit të informimit shëndetësor, për evidentimin e çdo sëmundjeje, çdo ilaçi dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me shëndetin e popullatës”, ka thënë Hoti.

Sa i përket kushteve të punës për sektorin e shëndetësisë, Hoti është zotuar se do të bëhet modernizimi i kushteve të punës dhe do të ridefinohet sistemi i pagave të personelit shëndetësor për kompensim shtesë për ata që punojnë më shumë dhe kanë rezultate në punë.

“Shpreh falënderimet më të veçanta për të gjithë punëtorët shëndetësorë, mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës për punën e tyre profesionale dhe iu siguroj se do të keni vëmendjen time personale dhe të qeverisjes sime për t’iu mundësuar që profesionin e juaj të shenjtë ta avanconi edhe më tutje dhe qytetarët tanë të marrin shërbime sa më cilësore shëndetësore”, ka përfunduar Hoti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme