Çerkezi: Do ta bëjmë Ministrinë për Fetë dhe Familjen

14:11 | 9 Qershor 2017
Arbresh.info

Me fitoren e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi në zgjedhjet e 11 qershorit Kosovës do ti shtohet edhe një ministri, ajo për Fetë dhe Familjen.

Këtë e ka thënë kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi në një intervistë për Kp.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një ministri të tillë për shkak se feja është një temë e ndjeshme dhe që duhet investuar në të.

Çerkezi: Është domosdoshmëri e kohës

“Dje në Gjilan kërkova që neve të kemi edhe një Ministri për çështjet fetare, sepse është temë e ndjeshme, është temë që do investuar në të, do trajtuar, jo vetëm të fesë, por të fesë dhe familjes. Për faktin se kemi nevojë edhe për familjen ku në programin tonë të koalicionit kemi të bëjmë edhe për shtimin e natalitetit, sepse ka filluar të bie. Por, përveç shtimit të natalitetit detyrimisht duhet të merremi edhe me llojin e natalitetit, çfarë cilësie kemi brenda natalitetit…Me emër të Zotit po, sepse është domosdoshmëri e kohës, përndryshe do të na e mbjellin të tjerët pastaj dhe do na e mbjellin sepse kushtetuta ekziston, komunitetet fetare janë edhe një ministri e tillë do të ishte perlë”, tha ai.

Ndërsa, tek çështja e lëndës së edukatës fetare ai tha se e kanë kërkuar me arsyetimin që të mos futet në Kosovë eksperimente të huaja në interpretimin fetar.

Çerkezi: Të mos lejojmë që të na futen eksperimente të huaja në interpretimin fetar

“Tek çështja e lëndës së edukatës fetare që e kemi kërkuar në atë kohë është pikërisht që të mos lejojmë që të na futen eksperimente të huaja në interpretimin fetar të cilin nuk shkon për shtati me të vërteten. Dhe çfarë ndodh islami politik i cili është sajuar nga politikanët kanë arritur që sot Kosova është bërë nga politika që është lejuar të bëhet, në radhë të parë është lejuar, në radhë të dytë është sajuar se është krejtësisht sajesë, sepse kjo shoqëri s’ka qenë kurrë ekstreme, as nuk mund të jetë as nuk do të jetë”, tha ai.

Kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi, ka hyrë në listë për tu bërë deputet i Kuvendit të Kosovës pasi që ka parë që Kosova ka nevojë për ndryshime dhe për reforma.

Çerkezi: Kam parë që Kosova ka nevojë për ndryshime

“Arsyeja se pse jam në listë është sepse kam parë që Kosova ka nevojë për ndryshime, ka nevojë për reforma. Përpos reformës brenda Partisë së Drejtësisë ishte një reformë tjetër pastaj e cila i nevojitesh Kosovës dhe duke u bazuar në këtë pikë menduam që mënyra më e mirë dhe koha më e mirë është që të bëhet një koalicion. Koalicion i cili tash është në skenën politike, jemi në fushatë dhe është duke u prezantuar mes LDK-AKR dhe Alternatives dhe ne si Lëvizje për Drejtësi”, tha ai.

Ndërsa, koalicionin me LDK-AKR dhe Alternativen ai e quan të natyrshëm për shkak të elektoratit që sipas tij e kanë të përbashkët. Po ashtu, ai tha se edhe programi është i përbashkët, edhe çështjen e besimit në Zot edhe familjen.

Ndërkohë që tha se është një koalicion që është në objektivat e veta.

Çerkezi: Koalicioni është  i natyrshëm për faktin se elektoratin e kemi të përbashkët

“Koalicionin e kam quajtur, koalicioni është  i natyrshëm, i natyrshëm për faktin se elektoratin e kemi të përbashkët, pritjet janë të përbashkëta, programi është i përbashkët, arsyeja bazë është një diçka neve e kemi moton ‘Në emër të Zotit për Drejtësi’ dhe arsyeja tjetër  është sepse pikërisht me këtë moto kemi gjete që edhe tek programi i Lidhjes Demokratike kemi çështjen e besimit në Zot një dhe familja dy Pra, dy shtyllat e shenjta për Lëvizjen tonë, dy shtylla të cilat mund të mbështetemi edhe si subjekte politike edhe si koalicion, pse jo pastaj një përfaqësim të natyrshëm, unë këtë koalicion po e quaj koalicion krejtësisht të natyrshëm, sepse është në shtratin vet dhe është në objektivat e veta”, tha Çerkezi.

Çerkezi, tha se koalicioni me LDK-AKR dhe Alternativa nuk është bërë për ndarje postesh, por për çështje më të rëndësishme për Kosovën, ku ai tha se ndryshimi në Kosovë është më i rëndësishëm sesa cilido post politik.

Këtë koalicion, sipas tij votuesit e kësaj partie e kanë pritur mirë, ku ai tha se ky koalicion i ka dhënë frymë një elektorati të fjetur.

Çerkezi: Një elektorat i fjetur ka filluar të zgjohet

“Po e them është në natyrshmëri, është absolutisht në natyrshmëri dhe ajo çfarë po shihet, po vihet re që ky koalicion i ka dhënë frymë dhe dalëngadalë një elektorat i fjetur ka filluar të zgjohet, ka filluar të sheh sepse i ka munguar Kosovës, i ka munguar deri në këto zgjedhje, i kanë munguar koalicionet parazgjedhore të kësaj natyre. Ka pasur koalicione parazgjedhore jo parimore, ka pasur koalicione jo të natyrshme, ka pasur pazare partiake, po e quaj pazare me plot kuptimin e fjalës pazare për ndarjen e pozitave dhe posteve. Ky ka qenë qëllimi dhe kjo ka qenë finalja, në kohë kur dihet shumë qartë që puna shpërblehet në bazë të qëllimeve, qëllimi nëse është ndarja e posteve atëherë përfundon me poste”, tha ai.

Ndërsa, për kandidatin për kryeministër të këtij koalicioni Avdullah Hoti, Çerkezi tha se është njëri më tepër i punës sesa i premtimeve.

Çerkezi: Tek ky kryeministër kam gjetur që nuk është njëri i premtimeve

“Edhe në LDK, në koalicionit tonë, por edhe te Kryeministri Avdullah Hoti, më ka befasuar për të mirë sepse është pikërisht në natyrën time, se kam gjetur veten time tek ky burrë, tek ky kryeministër, kam gjetur atë që nuk është njëri i premtimeve, absolutisht me një fjalë nuk është nuk ka të bëjë me premtime. Ka të bëjë me punën konkrete dhe qytetari ka nevojë për punë sepse premtime kemi pasur mjaft, fjalë kemi pasur mjaft të cilat gjithmonë kanë qenë fluska”, tha ai.

Në zgjedhjet që do të mbahen të dielën, kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi, garon me numrin 7.

Të ngjashme