Google ADS

Abrashi prezantoi projektin për bujqësinë dhe Zonën turistike të Gollakut

13:58 | 15 Tetor 2017
Arbresh.info

Gjatë një takimi me banorët e fshatit Keqekollë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka prezantuar projektin e tij për investime në Zonën Turistike të Gollakut dhe subvencionimin e bujqësisë.

Abrashi e ka quajtur të papranueshme faktin se si nga viti 2013 në Zonën e Gollakut nuk është investuar asgjë nga komuna, madje çka është edhe më e keqe, bujqve dhe blegtorëve të zonës ju kanë ndërprerë subvencionet.

“Ne do ta bëjmë edhe subvencionimin e transportit të rregullt për fshatrat e Gollakut. Do ta bëjnë edhe subvencionimin e bujqësisë dhe përmes analizave të tokës do të shohin se cilat kultura do t’i subvencionojmë në këtë zonë”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.

“Banorët e Prishtinës detyrohen që për një vikend të shkojnë në Prizren ose më larg, në mungesë të një oferte më afër. Ne kemi hartuar projektin që fshatrat përreth t’i shndërrojmë në destinacion turistik të banorëve të Prishtinës. Me krijimin e kushteve nga komuna, hapen mundësitë për ndërtimin e restoranteve dhe hoteleve të vogla në këtë zonë”, ka thënë Abrashi.

Për të jetësuar këtë projekt ai ka propozuar tri projekte prioritare. I pari ka të bëjë me rregullimin e kanalizimit në këtë zonë, i cili është gati jofunksional.

“Është e pakuptimtë për një qytet, të cilit i tepron buxheti, ndërsa i ka lënë banorët e këtyre lagjeve pa kanalizim. Kjo praktikë është e papranueshme dhe do të ndryshojë gjatë qeverisjes time”, ka thënë Abrashi.

Projekti i dytë ai ka përmendur vazhdimin e ndërtimit të trotuareve për këmbësorë, për të krijuar mundësi qarkullimi për banorët, por edhe turistët. Në këtë mënyrë rritet edhe siguria e atyre që ecin në këmbë.

Për të rritur kapacitetet turistike Abrashi ka thënë se do të ndërtohet një rrugë deri në Grashticë, e cila ka qenë e buxhetuar më 2014, por nuk e di pse nuk është realizuar, sigurisht ka pasur mungesë të vullnetit.

“Rruga do të jetë me ndriçim me trotuare dhe me të gjithë infrastrukturën e nevojshme”, ka thënë ai.

Një projekt tjetër, i Abrashit në këtë zonë do të jetë vendosja e gypave më të mëdhenj të ujësjellësit në mënyrë që të përmirësohet furnizimi me ujë të pijshëm, deri në Grashticë dhe fshatra tjerë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme