Pretendentja e LDK-së për Drenasin: Kandidimi im tregon synimin e qartë për fuqizimin e gruas në shoqëri

00:03 | 24 Shtator 2021
Trina Galanxhi

Kandidatja e LDK-së për garën e udhëheqjes së Komunës së Drenasit, Anduena Gllareva, ka deklaruar se ka disa parime kyçe me të cilat synon qeverisjen katërvjeçare të kësaj komune.

“Zhvillimin dhe avancimin e nivelit arsimor. Do të mundohemi të formojmë kabinete dhe salla të ndryshme, duke përfshirë salla sportive dhe aktivitete të tjera rinore. Funksionalizimin dhe ngritjen e nivelit shëndetësor, po ashtu edhe investimet e tjera kapitale në infrastrukturë – ku përfshihen rrjetet e kanalizimit, ujësjellësit, ndriçimi publik, etj”.

Po ashtu, Gllareva tha se një ndër parimet kryesore kanë edhe zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural, pasi siç theksoi, kanë konstatuar se kjo komunë ka resurset e mira për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë dhe se do të mundohen t’i japin përparësi zhvillimit të bujqësisë. Përveç kësaj, si synim ka edhe zhvillimin e ekonomisë.

Ndërkaq sa i përket shëndetësisë, Gllareva deklaroi se LDK-ja në këtë komunë si prioritet kanë funksionalizimin e qendrave të mjekësive familjare, të cilat vlerësoi se nuk funksionojnë dhe se janë shumë të pasivizuara.

Përveç kësaj, kandidatja e LDK-së për Drenasin premtoi edhe krijimin e vendeve të reja të punës, inkurajimin e investitorëve, ruajtjen e investitorëve të bujqësisë dhe blegtorisë. Po ashtu e shprehu shqetësimin që kjo komunë nuk ka një muze dhe se do të mundohet që ta bëjë një të tillë dhe një program të zhvillimit të sportit.

Tema e çështjes së femrave dhe fuqizimi i tyre u përmend gjithashtu nga kjo pretendente, duke thënë se LDK-ja me vet kandidaturën e saj e ka treguar synimin e qartë për funksionalizimin dhe fuqizimin e gruas dhe vajzave në shoqëri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme