Anton Quni e ka fokusin në këto 3 fusha për të qeverisur në Prizren

00:57 | 5 Tetor 2021
Trina Galanxhi

Kandidati i LDK-së që garon për postin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Anton Quni, ka shpalosur në Klan Kosova programin e tij qeverisës, me atë të të cilit tha se synojnë të gjenerojnë vende të reja të punës dhe të ketë impakt të fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe të përmirësohet standardi jetësor i qytetarëve.

Quni shtoi se fokusin e ka në tre fusha, siç janë turizmi historik e kulturor, industria e lehtë dhe agronomia.

“Për t’i zhvilluar këto fusha duhet krijuar disa parakushte. Këto mendojmë se duhet të krijohen përmes disa projekteve që duhet t’i implementojmë, e ato janë: rritja e kapacitetit të ujit të pijes, standardizimi i nën kalasë dhe rregullimi i infrastrukturës, unaza e madhe e qytetit, ndërtimi i tri parkingjeve nëntokësore, teleferiku nga Marashi për në Kala, ndërtimi i shtratit të Lumbardhit, ndërprerja e derdhjes se ujerave te zeza ne Lumbardh, ndërtimi i një qendre të re rekreative dhe sportive për të rinjtë e Komunës së Prizrenit e më gjerë”.

“Po ashtu në kuadër të turizmit ne planifikojmë që përveç Prevallës, të fokusohemi edhe në fshatrat turistike, ku mendojmë që Vërmica dhe pozita nga Gjonaj dhe Nasheci do të jenë atraksion i radhës”, deklaroi Quni.

Ai po ashtu akuzoi kandidatin e VV-së, njëkohësisht kryetarin aktual të Prizrenit – Mytaher Haskukën, se po jep premtime të njëjta siç i kishte dhënë para katër vjetësh dhe se nuk ka bërë asgjë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme