Aliu (LVV): Kam program të denjë, do e rikthej drejtësinë e meritokracinë

00:26 | 12 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Kandidati për kryetar të Shtimes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Qemajl Aliu, ka deklaruar se bashkë me ekipin e tij kanë hartuar një program të denjë për qytetarët e kësaj komune.

Ai tutje u shpreh se qeverisja aktuale është zgjatur dhe e vlerësoi si keqqeverisje që i ka mërzitur qytetarët e Shtimes.

“Në komunat e vogla ku qeverisja është e stërzgjatur dhe e zgjatur, pushteti arrin me kriju lidhje klienteliste dhe kontrollë mbi qytetarët dhe kjo e ka bërë të vetën si dhe metodat primitive të politikës së vjetër që përhapur panik, frikësim shantazh, bënë premtime të rrejshme, joshje e të tjera.” tha Aliu si i ftuar në emisionin Edicioni Special të Klan Kosovës.

Kandidati për të parin e Shtimes deklaron se kryetari aktual i ka frikësuar qytetarët që janë në skemat sociale, arsimtarët, infermierët, mjekët e shërbyesit civilë. Mirëpo Aliu zotohet se nga Komuna e Shtimes do të largohen vetëm 10 persona nga puna, Ismajli me drejtorët, dhe atë sipas tij do ta bëjnë qytetarët duke votuar LVV-në.

“Ka disa debate që ai është tërhequr, që e ka gjuajt peshqirin siç thuhet në sport dhe është dorëzuar sepse nuk po mundet me u përballë me keqqeverisjen e tij dhe me skandalet e tij 20 vjeçare. Edhe e ka vendosur që nga drita dhe nga studiot ku përballen argumentet dhe kundër argumentet, ai të zbresë në errësirë aty ku din ta bëjë punën më së miri. Dhe në errësirë dhe gjatë natës mi terrorizu qytetarët me i shantazhu me i kërcënu me i joshë me shtruar asfalte edhe nëpër baltë brenda natës dhe me metodat e tij të vjetërsuara.”

Kandidati për Shtimen mohoi raportimet se ai dhe vëllai i tij kanë aktakuzë për uzurpim të pronave dhe tha se këto lajme janë urdhëruar nga kryetari aktual.

Aliu tregon se nuk kanë marrëveshje me subjektet e tjera por që kanë mbështetjen e shumicës së qytetarëve, e sipas tij edhe të pjesëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme