Google ADS

Abdixhiku kërkon mbështetje për Ramën: Kryeqyteti duhet të transformohet

00:00 | 10 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku bashkë me kandidatin e kësaj partie për të parin e Prishtinës, Përparim Rama, kanë qëndruar sonte në Bregun e Diellit në takim me banorë e aktivistë të degës së tretë.

Abdixhiku tha se Prishtina meriton parqe e parkingje, sheshe e shëtitore, rrugë e rrugica, meriton shkolla e çerdhe dhe se Prishtina meriton transformimin e kërkuar kaherë, njofton Klan Kosova.

“Kryeqyteti s’mund të administrohet. Është shumë më i veçantë se kaq. Kryeqyteti s’mund as të përdoret, është shumë i shtrenjtë se kaq. Kryeqyteti duhet të transformohet. Këtë transformim mund ta bëjë vetëm një njeri me vizion të qartë e të drejtë për qytetin e tij. Një njeri që sheh përtej të zakonshmes, që e projekton të ardhmen, që dëgjon qytetarët e tij e tonë padallim, që nevojat e tyre i shndërron në zgjidhje afatgjata, problemet në mundësi, e mundësitë në identitete urbane. Prishtinën mund ta transformojë një djalë nga Ulpiana, një urbanist me nam botëror, një bashkëpunëtorë i jashtëzakonshëm, kandidati i juaji e i joni, Përparimi i Prishtinës”.

Abdixhiku ka thënë se më 17 tetor qytetarët kërkuan ndryshim dhe një kryetar për të gjithë.

“Përparimi është i tillë. Ai i ka idetë e qarta. Ai ka dëshirë, ka vizion, mbi të gjitha ka një ekipë që do t’i dalë ballë nevojave të dekadës së re në Kryeqytet. Prandaj ju ftoj që me 14 nëntor ta mbështesni atë. Me mbështetjen tuaj, ju i jepni të ardhme fëmijëve tanë, ju krijoni potencial bizneseve tona, ju jepni shpresë e përvojë të rinjve tanë, e ju jepni mundësi burrave e grave të Kryeqytetit. Duke mbështetur Përparimin, ju i jepni vetes një Kryetar për vete, për të gjithë, pa dallim”.

I pari i partisë u ztoua se Lidhja Demokratike e Kosovës do të shërbejë me dinjitet në kryeqytet.

“Përparimi, ekipi ynë, do të na japin një Prishtinë funksionale, të pastër e ku të gjithë do të kemi përjetime të bukura; një Prishtinë të zhvilluar ekonomikisht, e në një kryeqytet siç i ka hije Republikës sonë të mbarë e të mirë – Kosovës”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme