Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – njoftoi të premten se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Në një reagim në Facebook, Lista Serbe tha se ndër arsyet e vendimit të saj për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe një incident që ndodhi të enjten, kur deputetët e saj u penguan të hynin në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e Listës Serbe paraqiten në Kuvendin e Kosovës një herë në gjashtë muaj sa për të ruajtur mandatin dhe për të siguruar vazhdimin e marrjes së pagave.
Të enjten, ata s’u lejuan të hynin në Kuvend nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i akuzoi ata për keqpërdorim të parasë publike.
Duke iu referuar këtij incidenti, Lista Serbe tha: “Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin të informojmë publikun se Lista Serbe, më e fortë se kurrë, do të marrë pjesë në zgjedhje”.
“Ne do t’i fitojmë që të gjitha dhjetë mandatet e destinuara për popullin serb dhe do ta ruajmë unitetin dhe harmoninë e popullit serb në këtë zonë. Populli serb do të tregojë në zgjedhje për kë beson dhe kë dëshiron si përfaqësues të tij”, tha ajo.
Deri në njoftimin e së premtes nuk ka qenë plotësisht e qartë nëse Lista Serbe – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – do të merrte pjesë në zgjedhje, edhe pse kryetari i saj, Zllatan Ellek, kishte paralajmëruar pjesëmarrjen muajin e kaluar.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe janë të vetmit që përfaqësojnë interesat e popullit serb në Kosovë dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi një halë në sy për regjimin e [kryeministrin e Kosovës] Albin Kurti, por edhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë”, tha Lista Serbe, e cila ia ka bojoktuar seanca parlamentare prej nëntorit të vitit 2022.
Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb, i takojnë Listës Serbe.
Deputetët e saj nuk marrin pjesë në seanca, për shkak të “aksionit strategjik” – siç e kanë cilësuar ata bojkotimin e institucioneve të Kosovës – por paraqiten një herë në gjashtë muaj, për të mos i humbur mandatet.
Deri në incidentin e së enjtes, deputetët e Listës Serbe ishin nënshkruar në Kuvend pa pengesa.
Instituti Demokratik i Kosovës tha të enjten se deputetët e Listës Serbe u penguan jashtëligjshëm nga kryetari Konjufca dhe deputetët e shumicës parlamentare për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.
“Megjithëse Lista Serbe ka bojkotuar punimet e Kuvendit që nga viti 2022, dhe të njëjtit janë paraqitur në Kuvend vetëm për qëllime të mospërfundimit të mandatit, pengimi i tyre në seancën e sotme përbën cenim të mandatit kushtetues të deputetit”, tha Instituti, duke shtuar se në vazhdimësi ka kritikuar Listën Serbe për mospjesmarrjen në punimet e Kuvendit./rel/
Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Ga...
Kurti e Vitia nesër marrin pjesë në në përurimin e renovimev...
Kumbaro: Turistët nga Kosova në rritje, nuk ndikoi liberaliz...
Bora shënon fitore historike ndaj Sigal Prishtinës
Abdixhiku: Nga 80 mijë persona nga mërgata që janë regjistru...
Osmani mori pjesë në pritjen zyrtare të Krishtlindjes në Kat...