Osmani: Kosova është e pandashme dhe e përjetshme

23:22 | 25 Shtator 2019
Arbresh.info

Përpara dhjetëra mijëra qytetarëve të mbledhur në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, në manifestimin qendror të hapjes së fushatës zgjedhore, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se nga 6 tetori, me vullnetin e lirë të qytetarëve ajo do të jetë kryeministre e vendit dhe do të garantoj që Republika e Kosovës do të jetë e pandashme dhe e përjetshme, e në miqësi me aleatët tanë euroatlantikë.

“Do t’ia hapim dyert e mbyllura shtetit tonë. Qeveria e udhëhequr nga LDK do ta shpërthejë izolimin që e kemi si pasojë e politikanëve kryeneçë e keqbërës. S’ka nevojë për qeveri megalomane siç ishte e ashtuquajtura qeveri e vendimeve të mëdha. Ajo do të kujtohet vetëm si qeveri e skandaleve, grykësisë e gllabërimeve të mëdha. Do të ndërmarrim hapa të shpejtë për dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se LDK-ja si anëtare e Partive Popullore Evropiane do ta thellojë bashkëpunimin me vendet mike, sepse siç thoshte Presidenti Rugova, “shtëpia nuk mbahet pa miq”.

“Zotohemi që shtëpinë tonë, Kosovën tonë asnjëherë nuk do ta mbajmë pa miq. Gjatë vitit të parë qeverisës, LDK-ja do të ndërtojë të gjitha urat e komunikimit, do t’i rihapë të gjitha dyert e mbyllura nga njerëzit e papërgjegjshëm, do të krijojë komunikim të shëndoshë me këto shtete, që për ne janë shpëtimtare, do ta rikthejë miqësinë e cila është ekzistenciale për republikën tonë”, potencoi Osmani.

Kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani është shprehur e bindur për fitoren e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit. “Jam sot këtu me zemrën plot, me bindjen e thellë dhe besimin e pathyeshëm se nuk ka asgjë në botë që mund ta ndalë rrugën e fitores. Ne si popull kemi kaluar nëpër sfida të cilat i kemi tejkaluar falë vizionarit Ibrahim Rugova – si dhe falë sakrificës dhe luftës së popullit tonë për liri. Përkulem sot para sakrificës se familjes Adem Jashari si dhe para të gjithë heronjve të Kosovës”.

Ajo ka thënë se LDK-ja ka një trashëgimi të madhe që do të na ndihmojë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës, këtë vepër që e nisi dhe do ta përfundojë LDK-ja.

“Ora e ndryshmit të madh po vjen, LDK në aleancë me ju, me 6 tetor do t’i thotë lamtumirë qeverisjes së keqe në vend. LDK ashtu sikur në kohën e Rugovës, po hyn më e bashkuar se kurrë për fitore”.

Ajo ka thënë se me fitoren e LDK “…do të çlirohemi nga ata që rrënuan besimin në institucionet e vendit dhe nga ata që rrënuan miqësinë me partnerët ndërkombëtarë. Fitorja jonë do ta ktheje Kosovën në hartën me plotë dinjitet për të qeverisur”.

Osmani ka thënë se LDK del para qytetarëve me një program që fokusohet në interesat e qytetarëve. “Ne dalim sot para jush me një ekip njerëzish të përkushtuar, të ndershëm dhe profesionistë. Programi ynë do t’ia hapë vendit tonë dyert e mbyllura”.

“Republika e Kosovës nuk ka nevojë për një qeveri megalomane e cila për fatin e keq të Kosovës do të kujtohet si qeveri e skandaleve”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se për LDK-në, siguria publike, rendi dhe ligji janë domosdoshmëri. “LDK-ja në këto zgjedhje e ka vendosur në qendër të saj, familjen dhe rininë sepse këto janë shtyllat kryesore të shtetit tonë. Brezi ynë i ri duhet ta shoh perspektivën këtu dhe jo jashtë vendit”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet shkollë e mendimit politik në Kosovë. “Ne i japim mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve tanë. Nga 6 tetori unë do të jem kryeministre e të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike, pavarësisht moshës, etnisë, gjinisë, regjionit apo religjionit”, ka thënë osmani.

Ajo ka shtuar se ata që e kundërshtonin Presidentin Rugova, sot po garojnë të identifikohen me të.

Sipas saj, gjatë viteve të fundit i kemi festuar sukseset e artistëve tanë në arenën ndërkombëtare, kemi festuar që ata janë ngjitur në piedestalin e ngadhënjyesve, ndërsa flamuri i Kosovës është valëvitur mbi flamujt e shteteve shumë herë më të mëdha se Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme