Mustafa: 6 tetori do të jetë festë për LDK-në dhe kthesë historike për Kosovën

20:25 | 25 Shtator 2019
Arbresh.info

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën në tubimin qendror të fillimit të fushatës zgjedhore, se dita e zgjedhjeve të 6 tetori, do të jetë festë për fitoren e LDK-së dhe do të shënojë kthesë historike për Kosovën.

“Fjalën time dua ta filloj me një falënderim shumë të madh për përkrahjen që po na jepni dhe me thirrjen për mobilizim që 6 tetorin ta kthejmë në festë për fitoren e LDK-së dhe shpresë për Kosovën. Kemi ardhur deri këtu duke besuar në Zot, duke besuar në qytetarin dhe duke besuar në shtetin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai pohoi se Lidhja Demokratike e Kosovës është familje e madhe, sikur familjet kosovare, anëtarët e së cilës debatojnë rrafsh, për gjithçka dhe në fund, i gjejnë zgjidhjet më të mira.

“Saktësisht ashtu kemi vepruar edhe ne. E kemi ruajtur familjen tonë, për ta ruajtur Dardaninë tonë, siç thoshte Presidenti Rugova. I kemi zhgënjyer ata që investuan gjithçka për ta zhbërë Lidhjen tonë Demokratike, por, ju kemi gëzuar juve, qytetarë të Kosovës. Sot jemi dyfish më shumë sesa kemi qenë para 10 vjetësh”, shoi kreu i LDK-së.

Duke folur për përkrahjen qytetare për LDK-në, Mustafa ka thënë se mbështetja për Lidhjen Demokratike të Kosovës është rritur vazhdimisht, sepse jemi shndërruar në alternativën qytetare të preferuar.

“Si çdo familje kosovare. Jam i bindur se më 6 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës do të fitoj bindshëm, sepse kemi programin më të mirë qeverisës, kemi kandidatët më të mirë për të përfaqësuar qytetarët e Kosovës dhe sepse atyre u prinë kandidatja më e mirë, kryeministrja e parë e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani”, tha kryetari i LDK-së.

Sipas tij, Vjosa Osmani do të jetë kryeministre, sepse e ka mbështetjen e plotë të LDK-së, që ta zbatoj programin e LDK-së dhe që do ta fitoj mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, sepse do të zbatoj ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë.

Duke iu drejtuar nënkryetarit të PPE-së, Dara Murphy, i cili ka ardhur në Prishtinë përhapjen e fushatës së LDK-së, Mustafa ka thënë se “vendi ardhmërinë e kërkon në Bashkimin Evropian, sepse ne kemi kulturë evropiane, kemi rini evropiane, jemi popull dhe shtet evropian.

“Ne kemi një shtet Republikën e Kosovës. Kemi shtetin e Ibrahim Rugovës. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, shteti ynë as nuk pjesëtohet e as nuk bashkohet. Çdo pëllëmbë e këtij vendi është tokë e Kosovës dhe i takon Kosovës. Ne i përkushtohemi shtetit tonë ashtu siç i përkushtohemi familjes tonë. I kuptojmë brengat dhe kërkesat tuaja. Ju, qytetarë të respektuar shqetësoheni për papunësinë e madhe, për varfërinë, për shkollimin e fëmijëve tuaj, prandaj alternativa e vetme është që ta votoni numrin 134, LDK-në dhe kryeministren e re Vjosa Osmani”, përfundoi Mustafa.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme