Google ADS

Arrin në 4100 numri i fletëvotimeve nga diaspora – KQZ gati për të dielën

14:51 | 1 Tetor 2019
Arbresh Info

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti sot mbledhjen e radhës lidhur me përgatitjet e javës së fundit para ditës se zgjedhjeve, të cilat do të mbahen me 6 tetor.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, tha se tashmë gjithçka është gati për ditën e zgjedhjeve.

“Fletëvotimet kane përfunduar, jemi në koordinim me policinë e Kosovës. Lista e votuesve, shtypja e  tyre kanë përfunduar si dhe trajnimi i stafit që do të angazhohet. Është duke vijuar trajnimi i komisionarëve nëpër komunat përkatëse. Pasnesër planifikojmë që në trajnim që kemi me kryesuesit e këshillave të kemi edhe një kapje të hallkave që ka të bëjë me shpalljen e rezultateve. Jemi duke bërë përgatitjet e fundit. Planifikojmë sot të kemi një testim që të krijojmë një pasqyrë më të saktë. Janë duke u bërë edhe paketimet adekuate”

Halimi tha se të gjitha materialet janë të cilësisë së duhur.

Ai theksoi se janë duke punuar që mos të kenë probleme gjatë këtyre zgjedhjeve.

“Kemi biseduar për vështirësitë qe kemi pasë në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, tashmë ka një reflektim. Ne sot edhe nesër jemi në testim, zyrtaret tanë janë në kontakt me njësitet profesionale. Nuk besoj që do të kemi telashe. Me dinamikën që kemi besoj që ka një vetëdijesim për procesin zgjedhor”, përfundoi Halimi.

Ai shtoi se komisionerët janë të informuar për përgjegjësitë e tyre dhe palët e tjera në procesin zgjedhor.

“ Me pranimin e tyre ata kanë përgjegjësi të caktuara, detyrohen të nënshkruajnë, një kod të sjelljes” tha Halimi.

I pyetur për planin në raport me policinë e Kosovës, bashkëpunimin me Prokurorinë e Shtetit në ditën e zgjedhjeve, Halimi tregoi se kanë pasur një takim të sigurisë, ku secili kanë treguar si do të veprojnë dhe janë, dakorduar të mbajnë edhe një takim para ditës së zgjedhjeve.

Ndër të tjera, Halimi shtoi se dje është bërë dërgesa e fundit nga diaspora, ku janë 4100 dërgesa.

KQZ-ja përcaktoi ekipet mobile të cilat në ditën e zgjedhjeve me 6 tetor do te mundësojnë votimin e personave me nevoja te veçanta të cilat nuk mund të dalin në vendvotim.

Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se ekipet do të jenë në të gjitha komunat.

“Ekipet përfshihen për secilën komunë, 118 ekipe përbëhen nga tre anëtarë, ky operacion mbulohet nga vëzhguesit e akredituar. Presim ekipet t’i mundësojnë këtyre personave votimin” theksoi Rrustemi, raporton EO.

Aty u tha se ku ka komunitete te jetë edhe një anëtarë prej tyre, për shkak të komunikimit më të lehtë.

Regjistrimi i votuesve të kësaj kategorie përfundon sot.

Për shkak të disa mangësive, kjo pikë u shtye për nesër.

KQZ, miratoi edhe planin operacional për ditën e zgjedhjeve.

Po në këtë mbledhje, KQZ-ja miratoi planin e konferencave të ditës së diele. Sipas këtij plani KQZ-ja do të mbajë konferenca në orën 8:00, 12:00, 16:00, 20:00 dhe në fund do jetë shpallja e rezultateve./EO

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme