Kryeministri, Albin Kurti ka thënë se lirimi i Milan Radoiçiqit në më pak se 24 orë është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje.
Ai i ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që ditëve të fundit të jenë të vëmendshëm e të vetëpërmbajtur nga “aktet e dhunës dashakeqe”.
Më tutje Kurti tha se Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë.
“Lirimi i Millan Radoiçiq-it, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për ri-grupim dhe hakmarrje, sepse me 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi. Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për të arritur këtë, nuk kanë vënë çmim tavan. Nuk do të zgjedhin mjet”.
“Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia, në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë, dhe në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me Republikën tonë, vetëm sa e ka inkurajuar. Provuan ta ndryshojnë realitetin në terren përmes veprimeve të organizuara dhe koordinuara paramilitare. Nuk ia arritën. Keqpërdorën Manastirin e Banjskës me synimin që t’i japin ngjyrim fetar ngjarjeve të 24 shtatorit. Sërish nuk ia arritën. Tani, formacione kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior, në skenarët e tyre destabilizues ka shumë të ngjarë që dallimet etnike synojnë t’i keqpërdorin për qëllime politike. Për rastësi, javën që e lamë pas shënoi 23-vjetorin e rrëzimit të regjimit të Millosheviqit. E për fat të keq, 23 vjet pas 5 tetorit, regjimi aktual i Serbisë asnjëherë më parë nuk i ka përngjarë më shumë se sot, Serbisë së Millosheviqit”.
“Në botëkuptim, e në synime, në sjellje, në metoda e në veprime. Andaj, ju bëj thirrje, veçanërisht juve të nderuar bashkëqytetarë serbë, që ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe. Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, ashkalinjt, romët, egjiptianët, goranët dhe të gjithë të tjerët jetojnë e punojnë bashkë kudo në Kosovën tonë të dashur paqësore e proevropiane”, tha Kurti./Arbresh.info/
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?
Arioni humb durimin me Gresën, çohet nga tavolina dhe i repl...