Google ADS

Nuk ka ligj që e rregullon ndërtimin e shtatorëve në Kosovë, kush mund t’i ndërtojë ato?

19:37 | 8 Janar 2022
V. S.

Si duket askujt nga shteti nuk po i intereson Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve dhe Memorialëve në Kosovë. Madje, kjo agjenci është lënë edhe jashtë ligjit pasi që asnjë ligj nuk rregullon çështjen se kush duhet të bëjë ndërtimin e shatorëve, lapidareve në Kosovë, raporton arbresh.info.

Kjo agjenci është në kuadër të Kuvendit të Kosovës dhe si e tillë një herë në vit i raporton Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, për punën e tyre vjetore.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve dhe Memorialëve (AMKMK), Bislim Zogaj, për arbresh.info ka konfirmuar se kjo agjenci është “copëtuar”, dhe është lënë të manovrojë me atë se çka i është ofruar e si pikë kryesore, mos ekzistimi i një ligji përkatës për të rregulluar punën e këtij agjencioni.

“Fatkeqësisht jo, dhe është një prej problemeve nga më të mëdha që na preokupon. Gjithsesi jemi munduar edhe vitin e kaluar të marrim iniciativë si agjenci për rregullimin e këtyre kritereve, edhe lapidaret, edhe memorialët e mos të flasim për shtatoret ku kanë ndërtuar kush ka dashtë nga familja, shoqëria e deri te institucionet e ndryshme. E kemi pas ne një anomali që na u ka shfaq vitin e kaluar edhe shatoren e Adem Jasharit e ka ndërtua dikush tjetër, atëherë patëm marr iniciativën së bashku me ish-zëvendëskryeministrin Besnik Tahirin që të paktën ta bëjmë një rregullore se kush do duhej të caktonte ndërtimin sidomos të shtatoreve por ende nuk kemi diçka në këtë drejtim. Por nëse nuk rregullohet me ligj të paktën duhet të ketë një rregullore ose të kishte një komision për të caktuar kriteret”, tha Zogaj.

E pikërisht nga kjo anomali, ky agjencion, nuk arrin të kontrollojë ndërtimin dhe kriteret që duhet t’i kenë këto shtatore për tu ndërtuar si shkak i mungesës së ligjit që e rregullon këtë çështje.

“Ne si agjencion e kemi bërë një pasqyrë apo e kemi hulumtua terrenin e gjendjes dhe e kemi llogaritur se do duhej të ishin diku rreth 400 ose 500 objekte nga lufta e këndej dhe kur e kemi bërë ingjizimin e gjendjes na ka dal që janë diku rreth 1600 objekte, e që tani më nuk është relevante se kush i ka ndërtuar apo është barrë e shoqërisë apo shtetit për mirëmbajtjen e tyre”, tha Zogaj.

Buxheti është edhe një problem tjetër për këtë agjencion.

Për vitin 2020 këtij agjencioni i ishte ndarë buxheti prej rreth gashtë milionë euro, por që me rrethanat e pandemisë ky buxhet u përgjysmua duke rënë në buxhetin final prej rreth 2 milionë euro.

Nga ku sipas raportimit në vitin 2020 është kaluar buxheti i paraparë për tu shpenzuar.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme