X përballet me padi, nuk u pagoi punëtorëve bonuset e premtuara

12:29 | 26 Dhjetor 2023
E.G

Rrjeti social X (ish-Twitter) do të përballet me padi, sipas vendimit të gjykatësit federal nën akuzat nga stafi i kompanisë për mos dhënien e bonuseve të premtuara; gjykatësi gjithashtu refuzoi kërkesën e X për ta ‘pushuar’ çështjen.

Drejtuesit u kishin dhënë garanci të përsëritura punëtorëve, para se Elon Musk të finalizonte blerjen e rrjetit social X në tetor të vitit 2022, transmeton Telegrafi.

Por, pavarësisht këtyre premtimeve, kompania ka dështuar në dhënien e bonuseve për punëtorët e saj.

Padia ishte ngritur në qershor të vitit 2023, në emër të punëtorëve.

Padia u ngrit në një gjykatë federale të San Franciskos nga Mark Schobinger, i cili ishte drejtor i lartë i kompensimit në X derisa u largua nga kompania në maj. Padia përfshin ish-punonjësit dhe punonjësit aktualë të X, të cilët nuk kanë marrë bonuset e tyre të vitit 2022.

Së fundmi, gjykatësi federal i dha të drejtë çështjes së Schobinger dhe rasti i këtij të fundit do të vazhdojë tutje.

“Oferta e Twitterit, për t’i ofruar atij një bonus në këmbim, u bë një kontratë detyruese sipas ligjit të Kalifornisë”, tha gjykatësi i qarkut amerikan, Vince Chhabria në një vendim të premten.

Në ankesën e qershorit – kur u bë i ditur edhe njoftimi se Musk do ta blinte kompaninë – shumë punonjës ngritën shqetësime për kompensimet dhe bonuset e tyre vjetore.

Disa muaj para se të finalizohej blerja, drejtuesit e kompanisë u premtuan vazhdimisht punonjësve se bonuset e vitit 2022 do të paguheshin me synim prej 50 për qind.

Premtimi ishte përsëritur edhe pas finalizimit të blerjes, thuhej në ankesë.

Të ngjashme