Tesla prezanton versionin e përditësuar të robotit humanoid, Optimus Gen 2

15:33 | 13 Dhjetor 2023
KRG

Tesla ka prezantuar përditësimin e robotit të saj humanoid, Optimus Gen 2.

Ky version i robotit prototip tani përmban të gjithë aktivizuesit dhe sensorët e projektuar nga Tesla dhe duket gjithashtu më i rafinuar dhe më i dobishëm, transmeton Telegrafi.

Sipas Tesla-s, roboti tani është në gjendje të ecë 30 për qind më shpejt, por bazuar në videon prezantuese “Optimus Gen 2” nuk pritet ende të thyejë rekorde shpejtësie.

Kompania shprehet se roboti peshon 10 kilogram më pak duke përmirësuar kështu edhe ekuilibrin.

Një nga pjesët më të vështira për ta bërë një robot të dobishëm humanoid janë duart. Duart duhet të jenë mjaftueshëm të forta për të mbajtur pesha të konsiderueshme, por edhe precize për të trajtuar objekte delikate.

Tesla Optimus Gen 2 përmban duar krejt të reja që duken si një përmirësim i rëndësishëm.

Kompania dëshiron që së shpejti ta integrojë atë në operimet e saj prodhuese dhe sapo të dëshmohet dobia e këtij roboti, Tesla planifikon të fillojë prodhimin dhe shitjen e tij.

CEO i Tesla-s, Elon Musk pati thënë se roboti është i nënvlerësuar dhe se kërkesa për të mund të shkojë nga 10 deri në 20 miliardë njësi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme