Google ADS

Të premten nis konferenca “Hacktivity 2016”

13:59 | 18 Tetor 2016
Arbresh Info

Më 21 dhe 22 Tetor, 2016 për herë të 13-të do të mbahet konferenca më e madhe e hakerëve në Evropën Qendrore dhe atë Lindore. Hakerë dhe ekspertë të njohur nga shumë shtete të ndryshme do të marrin pjesë gjatë dy ditëve sa do të zgjasë kjo konferencë në të cilën pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin prezantime tepër interesante.

Hacktivity 2016 është konferenca e 13-të me radhë. Një e arritur e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh edhe faktin se pjesëmarrja në të është rritur çdo vit. Ata që do të kenë rastin të marrin pjesë në këtë konferencë do të mund të ndjekin mbi 27 prezantime dhe 7 punëtori (workshops) nga fusha të ndryshme të teknologjisë informative, zbulime të reja, teknika të reja dhe zgjidhje për probleme të ndryshme. Do të ketë edhe gara të ndryshme nga fusha e sigurisë kompjuterike si dhe ndeja në mbrëmje.

hacktivity2016-arb

Këtë vit folës kryesor në Hacktivity do të jetë Daniel Komaromy nga Hungaria i cili së bashku me kolegun e tij Nico Golde, ishin fitues të “Mobile Pwn2Own 2015“, duke thyer sigurinë e pajisjeve më të reja të lansuara nga Samsung (S6, S6 Edge dhe Note 4).

Daniel është njëri nga ekspertët më të njohur hungarez, i cili ka kontribuar mjaft shumë për fushën e sigurisë kompjuterike. Ai ka një përvojë të jashtëzakonshme nga kjo fushë dhe pjesëmarrësit përveç që do të mund të ndjekin prezantimin e tij do të kenë mundësi edhe të bisedojnë me të, shkruan portali arbresh.info.

Në kohën të cilën ne jetojmë pothuajse çdo gjë mund të hakohet dhe as pajisjet e mençura nuk bëjnë përjashtim. Travis Goodspeed do të jetë folësi kryesor gjatë ditës së shtunë, i cili do të flasë dhe shpjegojë rreth sigurisë së pajisjeve të mençura me të cilat kemi të bëjmë çdo ditë.

Përveç Daniel -it dhe Travis-it do të ketë edhe folës të tjerë të njohur siç është Vladimir Katalov nga ElcomSoft, i cili gjatë prezantimit të tij do të flasë rreth sigurisë së pajisjeve nga Apple. Edhe Daniel Gruss, Kelly Shortrigde dhe shumë të tjerë do të jenë folës gjatë kësaj konference.

Punëtoritë (workshops) e ndryshme do të mbahen paralelisht me prezantimet dhe pjesëmarrësit e interesuar mund të marrin pjesë në nëse dëshirojnë të rrisin njohuritë e tyre duke parë nga afër metodat që prezantohen nga instruktorët e ndryshëm.

Këtë vit në kuadër të Hacktivity, do të mbahet edhe një takim i organizuar nga Deloitte. Takimi do të udhëhiqet nga Iván Bedő (HVG magazine). Në këtë takim do të diskutohet në lidhje me trajnimin në shkolla dhe më gjerë në fushën e teknologjisë informative.

Pra kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në fillimin e konferencës që do të mbahet në Qendrën Kulturore MOM të Budapestit, ndërsa agjendën dhe prezantimet që do të mbahen mund t’i gjeni këtu. Për informata tjera mund të drejtohuni edhe tek faqja e konferencës në rrjetin social Facebook.

Arbresh.info është sponsor medial i konferencës dhe do të iu informojë për çdo gjë në lidhje me këtë konferencë./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme