Nathaniel Meyersohn, CNN Money – Vlera e aksioneve të Facebook ra për të dytën ditë rresht, me -3% këtë të martë, duke shënuar ditën më të keqe të kompanisë në katër vite. Facebook vlen 49.4 miliardë dollarë më pak në bursa këtë javë.
Investuesit e tregjeve të bursave e ndëshkuan kompaninë pas skandalit me “Cambridge Analytica”, e cila është angazhuar në fushatën zgjedhore të Donald Trump-it në vitin 2016, duke marrë informacione private nga 50 milionë përdorues me qëllimin për t’u ndikuar votën.
Kriza është zgjeruar përtej Facebook-ut, duke shkaktuar rënie për kompani të tjera të rrjeteve shoqërore si Twitter (-10%) dhe Snap Inc. (-3%).
Facebook është bërë një nga kompanitë më të çmuara në Amerikë, me vlerë tregu prej 488 miliardë dollarësh. Vetëm humbja prej 49.4 miliardë dollarësh është më e madhe se vlera totale e kompanive si Ford, eBay apo Delta.
Ligjvënësit në SHBA dhe Britani i kanë kërkuar themeluesit dhe drejtorit ekzekutiv të Facebook, Mark Zuckerberg, të dëshmojë për rrjedhjen e të dhënave dhe për politikat që ka Facebook mbi mbrojtjen e privatësisë.
Zuckerberg zotëron rreth 400 milionë aksione të Facebook. Ai vetë ka humbur 6.8 miliardë dollarë që të premten.
Aksionet që vazhdon të mbajë vlejnë rreth 70 miliardë dollarë dhe pozicioni i tij në kompani është i sigurt, pasi kontrollon votat e shumicës së aksionerëve.
“Lajmet negative nëpër media dhe mundësia e vendosjes së rregullave të reja, më të rrepta, kanë bërë që investuesit të heqin një pjesë të aksioneve nga Facebook”, tha Benjamin Schachter, analist te “Macquaire Capital”.
Facebook i fiton të ardhurat duke shitur reklama brenda platformës së tij. Nëse përdoruesit nuk futen, nga frika e humbjes së privatësisë, kompanitë dhe reklamuesit fillojnë të shpenzojnë më pak dhe i gjithë modeli i kompanisë mund të vihet në rrezik.
“Ulja e përdoruesve ose rritja e reklamave janë rreziqet më materiale për vlerën në treg”, shkruan analisti Brian Nowak i “Morgan Stanley”.
Të dy analistët presin që Zuckerberg të përgjigjet me sulm, të zbusë presionin nga ligjvënësit dhe të rikthejë besimin e investuesve.
“Presim që Facebook të japë më shumë siguri në lidhje me gabimet e bëra, me veprimet e paqëllimshme që janë shkaktuar nëpërmjet platformës, dhe të tregojë se synon t’i ndreqë”, tha Novak./Top Channel
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...