Së shpejti, mesazhet në Instagram mund t’i lini “seen” dhe s’do ta kuptojë askush

23:45 | 8 Nëntor 2023
E.G

Instagram po teston një opsion që lejon përdoruesit të mos tregojnë nëse e kanë lexuar mesazhin. Në këtë mënyrë, nëse mesazhi është lexuar, dërguesi nuk do të shohë etiketën “parë” (seen) poshtë tij.

Marck Zuckerberg dhe Adam Mosseri e kanë dhënë njoftimin në kanalet e tyre në Instagram.

“Morëm përshtypjet tuaja dhe nisëm të testonim një opsion të ri që ju lejon të hiqni etiketimet në mesazhet tuaja. Shumë shpejt, përdoruesit do të mund të zgjedhin kur do t’i lejojnë të tjerët të shohin se e kanë lexuar mesazhin e tyre”, shkroi Mosseri.

Shefi i Instagram postoi një “screenshot” të menusë së Privatësisë dhe Sigurisë për mesazhet. Përdoruesit mund të hyjnë në këtë menu duke klikuar emrin e profilit me të cilin po bisedojnë.

Nëse përdoruesi është pjesë e testimit, do të shohë një opsion për të aktivizuar shtojcën e re nën seksionin “Who can see your activity”.

Meta nuk e ka specifikuar se sa persona po marrin pjesë në testim apo se në cilat vende është shtrirë. Gjithashtu nuk dihet ende se kur do të mund të përdoret nga të gjithë.

Kujtojmë që i njëjti opsion është i disponueshëm në WhatsApp që prej vitit 2014./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme