Punonjësit të lodhur nga “regjimi” i Musk, zyret e Twitter-it kthehen në “dhoma hoteli”

22:27 | 8 Dhjetor 2022
KRG

Hapësirat në zyrat e Twitter-it janë shndërruar në dhoma gjumi. Lajmin e bën të ditur BBC, që ka siguruar edhe disa fotografi nga brenda zyrave, teksa autoritetet në San Francisko po hetojnë për shkelje të mundshme të kodit të ndërtimit.

Në një nga pamjet e publikuara shihet një dhomë me një krevat dopio, duke përfshirë një gardërobë dhe pantofla.

Një ish-punonjës i kompanisë citohet të ketë thënë se shefi i ri i Twitter, Elon Musk, ka qëndruar në seli që kur e bleu platformën e rrjeteve sociale.

Ai muajin e kaluar i dërgoi e-mail të gjithë stafit të Twitter duke thënë se “do të duhet të jenë jashtëzakonisht të fortë” për të pasur sukses.

Departamenti i Inspektimit të Ndërtimit në San Francisko ka konfirmuar se po heton shkeljet e mundshme pas një ankese.

Musk nga ana tjetër tha se autoritetet e qytetit po sulmojnë kompaninë për sigurimin e shtretërve për “punonjësit e lodhur”.

BBC ka publikuar po ashtu edhe foto të divaneve në ambientet e Twitter-it që duket se janë përdorur si shtretër.

Një dhomë tjetër konferencash, ka një orë alarmi dhe një fotografi të vendosur mbi një shtrat të “sajuar”.

Kujtojmë se muajin e shkuar, Elon Musk, i cili e përfundoi blerjen e Twitter-it në tetor, i dërgoi një e-mail stafit të kompanisë me anë të të cilës i njoftonte se do u duhej të punonin me orare të zgjatura dhe intensitet të lartë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme