Pas pak ditësh mund ta shihni Jupiterin dhe Saturnin në një pozicion të paparë që nga Mesjeta

13:23 | 26 Nëntor 2020
Arbresh.info

Kur dielli do të perëndojë më 21 dhjetor, ditën më të shkurtër të dimrit, njerëzit që e shikojnë qiellin do të kenë mundësinë ta shohin Jupiterin dhe Saturnin më afër njëri-tjetrit sesa mund të shihte kushdo sot.

Do të jetë hera e parë që një skenë e tillë shfaqet pas gati 800 vjetësh, raporton Independent, transmeton Gazeta Express.

“Rreshtimi i trajektorëve të këtyre dy planetëve është shumë i rrallë dhe planetët do të duken shumë pranë njëri-tjetrit”, tha në një deklaratë astronomi Patrick Hartigan nga Universiteti Rice.

“Një skenë e tillë u pa për herë të fundit nga toka në qiellin e natës së 4 marsit 1226”, deklaroi ai.

Afrimi i të dy planetëve ka vazhduar që nga vera. Kur të arrijë kulmin, midis 16 dhjetorit dhe Krishtlindjes, sipas kalendarit Gregorian, distanca midis tyre do të jetë më e vogël se gjerësia e hënës së plotë.

“Gjatë mbrëmjes së 21 dhjetorit, ata do të duken si një planet i dyfishtë, i ndarë nga njëri-tjetri vetëm me një të pestën e diametrit të hënës së plotë”, tha profesor Hartigan.

Të gjithë që do ta humbasin këtë fenomen astronomik nuk do të kenë mundësinë ta shohin atë para vitit 2080.

Pas kësaj, nuk do të ketë asnjë shans tjetër për ta parë këtë deri pas vitit 2400./gazetaexpress/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme