Kompania Meta, në pronësi të së cilës janë rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, njoftoi të martën se po heq programin e saj për verifikimin e fakteve nga një palë e tretë dhe se do ta zëvendësojë atë me Shënimet nga Komuniteti (Community Notes), të shkruara nga përdoruesit. Ky do të jetë një model i ngjashëm me atë të platformës sociale X të miliarderit Elon Musk.
Duke e filluar nga Shtetet e Bashkuara, kompania Meta do ta mbyllë programin e saj për verifikimin e fakteve në bashkëpunim me ekspertë të jashtëm. Kompania tha se vendosi t’i japë fund këtij programi, pasi vetë ekspertët që verifikonin faktet kishin paragjykimet e tyre dhe sepse ishte shtuar shumë sasia e materialeve që duheshin verifikuar.
Në vend të këtij programi, kompania Meta do të zhvendoset drejt modelit të Shënimeve të Komunitetit, që shfrytëzon mekanizmin e verifikimit të fakteve nëpërmjet mbledhjes së informacionit të kontribuar nga përdoruesit.
“E kemi parë këtë përqasje të funksionojë në X – ku ata fuqizojnë vetë komunitetin e tyre për të vendosur se kur postimet janë ndoshta mashtruese dhe kur kanë nevojë për më shumë kontekst”, tha drejtuesi për çështjet globale në kompaninë Meta, Joel Kaplan.
Kaplan tha se sistemi i ri do të futet gradualisht gjatë muajve në vazhdim dhe se kompania do të vazhdojë të punojë për ta përmirësuar atë gjatë vitit në vazhdim. Gjatë tranzicionit, kompania Meta do të përdorë etiketimin (labels), në vend të paralajmërimeve të vendosura mbi postime të caktuara.
Agjencia e lajmeve Associated Press merrte pjesë në programin e kompanisë Meta për verifikimin e fakteve, por i dha fund pjesëmarrjes një vit më parë.
Kompania e mediave sociale njoftoi gjithashtu se synon të lejojë më shumë “shprehje të mendimit” duke hequr disa nga kufizimet për tematika janë bërë pjesë e diskutimit konvencional, si emigracioni dhe gjinia, në mënyrë që të fokusohej tek shkelje të rënda dhe të paligjshme, si p.sh. terrorizmi, shfrytëzimi seksual i fëmijëve dhe drogat.
Kompania Meta tha se përqasja e saj për të ndërtuar sisteme më komplekse për të menaxhuar përmbajtjen e materialeve në platformat e saj e ka “tejkaluar cakun” dhe se pati “bërë gabime të shumta” duke censuruar përmbajtje më shumë se ç’duhet.
Drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg pranoi se ndryshimet janë pjesërisht të nxitura nga zhvillimet politike, përfshirë fitoren në zgjedhjet presidenciale të Presidentit të zgjedhur Donald Trump.
“Zgjedhjet e fundit të japin gjithashtu ndjesinë e një pike kthese kulturore, duke u riorientuar sërish për t’i dhënë përparësi lirisë së shprehjes”, tha Zuckerberg në një mesazh me video.
Bordi gjysëm i pavarur i mbikëqyrjes së kompanisë Meta, që ishte krijuar për të shërbyer si një arbitër për vendimmarrjen për çështje të debatueshme, tha se mirëpriste ndryshimet dhe se pret me padurim të bashkëpunojë me kompaninë “për t’i kuptuar ndryshimet me më shumë detaje, për t’u siguruar që përqasja e re të jetë sa më efektive dhe në mbështetje të lirisë së shprehjes, që të jetë e mundur”./VOA
Murati: Opozita s’po i voton marrëveshjet ndërkombëtare, po ...
FFK organizon kursin e radhës të trajnerëve për Licencën B
“Turp”, Stresi kritikon banorët e Big Brother Vi...
Ministri Vitia jep detaje rreth vaksinimit me vaksinën HPV p...
Shitet në ankand letra e Princeshës Diana, zbulon si ishte d...
Policia realizon kontroll në sigurimin DUNAV në veri bashkë ...