Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për krijimin e “rrjeteve të pastërta 5G” me SHBA-në, raporton Anadolu Agency (AA).
Memorandumi mes Kosovës dhe SHBA-së u nënshkrua në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, ndërsa nga pala kosovare nënshkroi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Nga pala amerikane, nënshkrues ishte nënsekretari amerikan i shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach.
Në deklaratën e përbashkët për media pas nënshkrimit të memorandumit, kryeministri Hoti tha se kjo është një hap i madh drejt rritjes së sigurisë në këtë fushë, duke shtuar se përmes memorandumit, Kosova merr edhe obligimet e veta shtetërore për qenë krah partnerëve strategjikë.
“Ne tanimë i kemi ndërmarrë veprimet e duhura në Prishtinë në lidhje me këtë çështje, por besoj se kjo është shenjë e fuqishme e vendosmërisë së presidentit Trump dhe Qeverisë së SHBA-ve për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit”, u shpreh kryeministri Hoti.
Nga ana tjetër, zyrtari amerikan Keith Krach u shpreh se Kosova është një partner i rëndësishëm strategjik i SHBA-së, duke shtuar se nënshkrimi i memorandumit është një dëshmi e miqësisë mes dy vendeve.
“Rrjeti i pastër është një qasje gjithëpërfshirëse që adreson kërcënimin afatgjatë të privatësisë së të dhënave, sigurisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimin e besueshëm që rrezikohet nga Partia Komuniste e Kinës”, theksoi Krach.
Më herët gjatë ditës, kryeministri Hoti u prit me një ceremoni solemne nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Ai gjithashtu zhvilloi takime me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe me përfaqësues të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Zaev: Maqedonia e Veriut dhe SHBA konfirmuan bashkëpunimin për sigurinë e teknologjive 5G
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe nënsekretari amerikan i shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, sot nënshkruan një memorandum mirëkuptimi mbi sigurinë e teknologjive 5G, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas nënshkrimit, kryeministri Zaev dhe nënsekretari Krach adresuan rëndësi e nënshkrimit të këtij memorandumi, veçanërisht pasi Maqedonia e Veriut, si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ka detyrimin të harmonizojë politikat kombëtare për zhvillimin e komunikimeve elektronike me politikat e BE-së dhe SHBA-së.
Në kumtesën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut theksohet se kryeministri Zaev tha se me memorandumin, Maqedonia e Veriut dhe SHBA konfirmojnë dëshirën e tyre për të forcuar bashkëpunimin në lidhje me zbatimin e teknologjisë 5G.
“Duke pasur parasysh përparësitë e komunikimit pa tel të gjeneratës 5G, ky memorandum bashkëpunimi është jetik për prosperitetin e ardhshëm të vendit tonë nga pikëpamja ekonomike, si dhe për sigurinë kombëtare”, citohet të ketë thënë Zaev.
Nënsekretari Krach iu referua bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut, si një partner i rëndësishëm strategjik, duke shtuar se si pjesë e NATO-s, vendi bashkohet me grupin e 27 vendeve anëtare të cilat janë pjesë e “rrjetit të pastër” (Clean Network).
Siç tha ai, ky memorandum adreson rreziqet dhe merr parasysh rrjetet e sigurta të internetit që janë jetike për sigurinë kombëtare, prosperitetin ekonomik dhe stabilitetin në rajon.
“Së bashku, ne kontrollojmë të ardhmen tonë 5G dhe mund të sigurojmë një të ardhme të sigurt për qytetarët tanë. Ky memorandum ka të bëjë kryesisht me besimin, dhe jo vetëm si një simbol i besimit të fortë midis dy vendeve, por edhe me të gjitha vendet e tjera të cilat me ndihmën e rrjeteve të sigurisë janë të përkushtuar në luftën midis lirisë dhe autoritarizmit”, tha nënsekretari Krach.
Dianës i vjen motra në shtëpi, i thotë të dal nga shtëpia se...
Sjelljet e Xhenetës në shtëpi – Vëllai i Madh e çon automati...
Nesër Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal në Pro...
Pllaka më e vjetër prej guri e mbishkruar me Urdhërimet e Bi...
Muriqi: I ka munguar Kosovës një lojtar si Jashari
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç