Kaspersky prezanton aplikacionin e sigurisë për pajisjet Android

09:58 | 16 Gusht 2017
Arbresh.info

Kompania Kaspersky Lab prezantoi aplikacionin e tij të ri, Kaspersky Secure Connection për Android, i cili synon të mbrojë të dhënat e përdoruesve që lidhen përmes rrugës së internetit.

Karakteristika kryesore e këtij aplikacioni është se ofron siguri maksimale për mbrojtjen e përdoruesve, enkriptimin e trafikut në mënyrë automatike, varësisht prej shkallës së sigurisë së rrjetit Wi-Fi në të cilin pajisja është e lidhur, si dhe në ueb faqet dhe aplikacionet, të cilat janë të hapura në pajisje.

Kjo qasje është shumë e rëndësishme, nëse përdoruesi shpesh lidhet në rrjete të panjohura Wi-Fi, të cilat sulmuesit e kibernetikës mund t’i përdorin si kurth për të hakuar pajisjet.

Sipas hulumtimit të kompanisë Kaspersky Lab, çdo i katërti rrjet Wi-Fi në botë është i pasigurt.

Kaspersky Secure Connection mundëson 200 MB enkriptim falas të trafikut në ditë për secilën pajisje.

Versioni me pagesë i aplikacionit ofron enkriptim të pa limit të trafikut për pesë pajisje për një muaj ose një vit, varësisht nga parapagimi.

Kaspersky ka bërë të ditur se një aplikacion të ngjashëm planifikon ta krijojë edhe për pajisjet në sistemin operativ iOS deri në fund të këtij viti./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme