Google ADS

Google sfidon Amazon për blerjet online

14:24 | 25 Mars 2018
Arbresh.info

Analistët thonë se Google po i shpall konkurrencë Amazon për blerjet online duke publikuar programin e ri të quajtur Shopping Actions, i cili lejon përdoruesit të blejnë produkte online nëpërmjet Google Assistant dhe reklamave në kërkimet.

Në kërkimet Google, Google Assistant dhe shërbimi Google Express, të gjithë përdoruesit mund të ruajnë mënyrat e pagesës me kredenciale dhe të bëjnë blerje online.

Në këmbim, Google do të përfitojë një tarifë nga çdo blerje e bërë. Në këtë mënyrë, ju mund të bëni blerje nga portale të ndryshme, t’i ruani ato në Google Express dhe me anë të një procesi të thjeshtë realizohet blerja, shkruan PCWAlbanian.

Deri tani, kompani të ndryshme si Target, Walmart, Home Depot, Costco Wholesale, etj., kanë rënë dakord për të marrë pjesë në programin e ri i cili është i hapur për të gjithë distributorët amerikanë.

Çdo gjë nisi pasi Google kishte analizuar se shumë përdorues pyesnin ku mund të blinin produkte të ndryshme. Ky trend sa vjen edhe rritet, madje përdoruesit kërkojnë në Google për produktin dhe më pas përfundojnë duke e blerë atë në Amazon.

Sipas përfaqësuesve të Google, ata e shohin këtë opsion si një mundësi për distributorët në përmirësimin e shërbimeve dhe transaksioneve të tyre. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme