Michio Kaku është profesor i fizikës teorike në “City College” në Nju Jork dhe një ndër themeluesit e asaj që njihet si teoria e vazhdimësisë. Veç kësaj është edhe një emër popullor i shkencës, me dalje të shumta televizive dhe autor i disa librave “bestseller”. Libri i tij i fundit, “Ekuacioni i Zotit” është një përpjekje e qartë për të bërë bashkë teorinë e relativitetit të Alber Einstein me teorinë kuantike, me qëllim krijimin e asaj që e quan “Teoria e Gjithçka-së” për të shpjeguar natyrën e universit.
Sa afër mendoni se është shkenca sot për të realizuar teorinë e gjithësisë?
Ne kemi teorinë, por jo në formën e saj përfundimtare. Nuk është testuar ende dhe fituesit e çmimeve Nobel kanë pikëpamje të kundërta në lidhje me atë që quhet teori e vargut. Unë jam bashkëthemelues i teorisë së fushës së vargut, e cila është një nga degët kryesore të teorisë së vargut, kështu që unë jam pjesë e kësaj “loje”. Përpiqem të jem i drejtë dhe i ekuilibruar. Mendoj se jemi në prag të një epoke të re. Eksperimente të reja po bëhen për të zbuluar devijimet nga Modeli Standard. Për më tepër, ne kemi misterin e materies së errët. Secila prej këtyre zonave të pashkelura mund të na japë një ide për teorinë e gjithçkaje.
Teoria e vazhdimësisë përfshin teori të guximshme fizike, matematikë “mizore” dhe abstraksion turbullues. Mendoni se publiku është në gjendje që të përthithë detajet e këtij debati?
Mendoj se publiku është kureshtar për pasojat e mundshme të kësaj teorie. Universi, deri diku është si një lojë shahu, ku për 2 mijë vite në jemi përpjekur të mësojmë se si lëvizin ushtarët. Tani kemi filluar të kuptojmë se si lëviz mbretëresha dhe se si realizohet një shah-mat. Detyra e shkencës është që të zgjidhë këtë mister dhe enigmë që ne e quajmë univers. Ka pyetje të shumta për të cilat publiku pret përgjigje, si shembull udhëtimi në kohë, dimensionet e tjera, vrimat e zeza, çfarë ndodhi para big-bangut? Çfarë ka në anën tjetër të një vrime të zezë. Asnjëra prej këtyre pyetjeve nuk mund të përgjigjet vetëm me teorinë e Einstein. Për këtë duhet të shkojmë përtej Einstein dhe të hidhemi te teoria kuantike.
Nëse Isak Njutoni do të lexonte librin tuaj, sa do të kuptonte prej tij?
Mendoj se ai do ta vlerësonte. Në vitin 1666 patëm murtajën e madhe dhe Universiteti i Kembrixhit u mbyll. 23-vjeçari Newton u dërgua në shtëpi, ku vuri re mollën që ra në oborrin e tij. Aty kuptoi se ligjet që kontrollojnë rënien e mollës janë të njëjta që kontrollojnë lëvizjen e Hënës. Pra, epidemia i dha Isaac Newton mundësinë që të ulej dhe të studionte lëvizjet e mollës dhe të Hënës. Në atë kohë nuk kishte ende një formulë për këto, ndaj Newton u ul dhe krijoi formulat e veta. Kjo është ajo që po bëjmë ne sot. Ne gjithashtu jemi të goditur nga epidemia, edhe ne jemi të ulur në tavolinat tona dhe ne gjithashtu po krijojmë formula të reja”.
Disa fizikanë i vlerësojnë si kequdhëzuese përpjekjet për gjetjen e një teorie gjithpërfshirëse. Si shihet në këto qarqe puna juaj?
Ka një ndarje, një ndarje që s’e kemi parë për dekada. Më kujton Konferencën Solvay, kur Niel Bohr dhe Albert Einstein u vunë përballë përsa i takon teorisë kuantike, në një prej debateve më të mëdha në historinë e botës shkencore. Teoria e vazhdimësisë gjithashtu ka ngjallur një interes të madh, e gjithashtu ka ndezur një debat po kaq të madh. Njerëzit thonë po ku janë provat? Sinqerisht ne nuk kemi prova, ashtu siç nuk kishte Isaac Newton në vitin 1666. Ndonjëherë, idetë janë shumë më përpara se të dhënat konkrete eksperimentale. Këtu hyn në lojë “Large Hadron Collider”.
LHC ka prodhuar lajme kohët e fundit mbi gjetjet se sa mahnitëse është sjellja e grimcave. A ka kjo ndikim në teorinë e gjithësisë?
Modeli standard është teoria pothuajse për gjithçka. Funksionon shkëlqyeshëm, por është një prej teorive më të shëmtuara të propozuara deri më tani. Ka një mal me eksperimente, numra që duhet shqyrtuar e studiuar njëri pas tjetrit. Por, në teorinë e vazhdimësisë, modeli standard shfaqet vetë vetëm me pak hamendësime. Thelbi është që ne na nevojiten prova eksperimentale dhe LHC mund të na ndihmojë që të kalojmë në epokën tjetër të fizikës.
Jeni krahasuar me Carl Sagan për aftësinë për të shpjeguar shkencën komplekse në një formë të thjeshtë. Sa e rëndësishme është që të kuptohesh nga një audiencë e gjerë?
Patëm një debat të madh në vitin ’90, kur si fizikanë propozuam super-përplasësin “e grimcave”. Ishte projektuar shumë më i madh se Large Hadron Collider. Duhej të ishte në Teksas, por u anulua. Pse? Gjatë dëgjesave të fundit në kongres, një ligjvënës pyeti: “A do të gjejmë Zotin me këtë makineri? Nëse po do të votoj pro”. Fizikani i gjorë që duhej të përgjigjej nuk dinte çfarë të thoshte. Ne duhet të kishim thënë se ajo do të ishte gjeneza e shpikjeve më të mëdha të të gjitha kohërave. Fatkeqësisht, ne thamë se do të zbulojmë “grimcën e Higgs-it” dhe njerëzit thanë: 10 mld dollarë për një tjetër makineri atomike? E kështu ata (kongresi) e anuluan.
A ndjehen xhelozë kolegët mbi qasjen tuaj popullore që i ofroni shkencës?
Le të jemi të sinqertë, Karl Sagan u prit ashpër kur filloi të hynte në arenën publike. Pati një votim për të iniciuar pranimin e tij në Akademinë Kombëtare të Shkencave dhe ai u refuzua. Super përplasësi u anulua sepse ne ishim në “kullën e fildishtë” dhe nuk kishim asnjë lidhje me taksapaguesit që prekeshin nga ligji. Dhe më pas erdhi Stiven Houking. Ai gjeneroi aq shumë interes dhe ishte një fizikan i mirëfilltë në skajin e shkencës, jo thjesht një njeri popullor – një kritikë kjo që i qe bërë Saganit. Kështu që unë mendoj se ishte përulëse. Duhet t’i këndojmë kësaj. Gjatë viteve 60, e gjithë ajo që na u desh të bënim ishte të shkonim në Kongres dhe të thoshim një fjalë: Rusia. Pastaj Kongresi nga ana e tij do të thoshte dy fjalë të tjera: Sa kërkoni? Ato ditë nuk janë më.
Ju besoni që brenda një shekulli do të biem në kontakte me një qytetërim jashtëtokësor. A jeni i shqetësuar për pasojat?
Së shpejti do të kemi një rrjet teleskopësh në orbitë dhe do të kemi me mijëra planetë për të vështruar. Prandaj mendoj se mundësitë që të vendosim kontakte me një qytetërim jashtëtokësor janë të mëdha. Ka disa kolegë që mendojnë se duhet t’i kontaktojmë. Unë mendoj se është një ide e tmerrshme. Të gjithë e dime se çfarë i ndodhi Montezumas kur takoi Cortes në Meksikë disa qindra vite më parë. Alienët mund të jenë miqësor, por ne nuk mund të vëmë bast për këtë. Mendoj që edhe nëse do të vendosim kontakte duhet ta bëjmë këtë me një kujdes maksimal.
Në libër përmendni shumë shkencëtarë brilantë. Cili prej tyre, sipas jush, qëndron pak më lart se të tjetër?
Newton është numri një, sepse pothuajse nga asgjëja dhe në një epokë besëtytnie e magjistricash a na jep formulën e universit dhe një teori pothuajse të gjithçkaje. Kjo është e jashtëzakonshme. Einstein përdori punën e Newton për punën e tij në fushën e dinamikës hapësirë-kohë dhe për teorinë e relativitetit. Këta dy janë ata që kanë ndriçuar shkencën duke ndryshuar fatin e njerëzimit. Ligjet e Newton i hapën rrugë revolucionit industrial. Një njeri i tillë mbërrin një herë në disa shekuj.
Ju e përshkruani veten si agnostik. Puna juaj kërkimore ju ka afruar, apo larguar nga ideja e Zotit?
Stephen Hawking tha se nuk besonte në Zot, sepse big-bangu ndodhi menjëherë dhe nuk kishte kohë për Zotin që të krijonte universin, prandaj ai s’mund të ekzistonte. Unë kam një këndvështrim tjetër. Prindërit e mi ishin budistë dhe budizmi ka Nirvanën e pakohë, pa fillim dhe pa mbarim. Por, prindërit e mi më bënë pjesë të një kishe presbiteriane. Këtu mësova mbi gjenezën dhe se si universi u krijua për 7 ditë. Tanin, me idenë e shumë universeve, ne mund të shkrijmë së bashku këto dy këndvështrime të kundërta. Edhe tani që po flasim, gjeneza po ndodh diku në univers dhe çfarë është përhapja e universit? Nirvana. Hiperhapësira me 11 dimensione është Nirvana. Pra, mund të kemi filozofinë budiste dhe atë judeo-kristiane në një teori të vetme.
Shpërthimi në Ibër Lepenc, çfarë dihet deri më tani
Kurti: Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një ...
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...