Mes rrjetet sociale, fëmijët preferojnë të përdorin më së shumti rrjetet: Facebook, Instagram dhe Tiktok, sipas kompanive digjitale. Përdorimi i internetit dhe teknologjisë sot është një nga trendet e përhapur në gjithë botën.
Por, sipas ekspertëve të kësaj fushe, përdorimi i internetit tek fëmijët, nuk është i sigurt, meqë në Kosovë, ofruesi i shërbimit të internetit nuk ta ndalon qasjen në asnjë faqe ose rrjet, për dallim nga vendet tjera evropiane e më gjerë.
Fëmijët, sipas kompanive digjitale, nga rrjetet sociale më së shumti preferojnë të përdorin rrjetet Facebook, Instagram dhe Tiktok. Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Benjamin Kolenovic, menaxher i marketingut digjital, në kompaninë “Hallakate”, agjenci kjo për media sociale.
Sipas tij, rrjeti social Facebook, llogaritet se ka rreth 52 mijë përdorues fëmijë, Instagrami i ka rreth 56 mijë përdorues fëmijë, derisa thotë se Tiktok është një prej platformave më të përdorura, por që ende nuk ka shifra të sakta.
“Përdorimi i internetit i ka anët e mira dhe të këqija. Të mirat janë se ke mundësi që të informohesh në kohë reale, lajmi vjen në shpejtësi dhe informata përhapet shumë shpejtë. Ndërkaq, anët negative vijnë në rastet nuk njerëzit, si shembull, nuk janë të vetëdijshëm se si t’i mbrojnë të dhënat personale. Pastaj për fëmijët, anë negative është kur prindërit u japin smatphone-at fëmijëve të moshës 1.5 deri në 6 vjeç, fëmijët i përdorin për të parë rrjetet si YouTube. Duhet patur parasysh se përmbajtja që u del përpara fëmijëve gjithmonë është e ndërlidhur me algoritmin e YouTube, i cili krijohet nga përmbajtja që e shikon prindi”, thotë Kolenovic.
Ai thotë se, prindërit edhe në raste kur iu lejojnë fëmijëve të përdorin smartphone-at për kërkime në internet apo shikim të videove në YouTube, duhet që pajisjet t’ua lënë në dispozicion vetëm fëmijëve, në mënyrë që mosha e shikimit të jetë e kufizuar dhe të mos u paraqiten atyre video të papërshtatshme për moshën që kanë.
“Nëse për shembull prindi shikon një video e cila është një triller, më vonë fëmija e merr telefonin dhe shikon videot e veta në YouTube, fëmijës I dalin videot që babai i ka shikuar paraprakisht. Prandaj, pajisjet e fëmijëve duhet të jenë vetëm e fëmijëve, pasi algoritmi edukohet në atë mënyrë që është krijuar për fëmijë”, tha Kolenovic.
Teuta Zymeri, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Studime të Avancuara FIT, thotë se aktualisht fëmijët gjatë përdorimit të internetit nuk janë të sigurt. Sipas saj, për një përdorim të sigurt të internetit nga ana e fëmijëve, duhet që përmes strategjive të ndikohet në qeverisje dhe legjislacion, në mënyrë që mirëqenia e fëmijëve në botën virtuale të jetë sa më e sigurt.
“Aktualisht mund të themi se fëmijët nuk janë të sigurt gjatë përdorimit të internetit. Duhet të kemi një bashkëpunim për të mirën e përdorimit, siç janë fëmijët, prindërit, mësuesit, kujdestarët, industria, vendimmarrësit. Secili e ka rolin e vet, ku prindërit dhe kujdestarët kanë rol kyçë”, thotë ajo.
“Mësuesit mund të ndihmojnë duke i zhvilluar të menduarit kritik në mënyrë që fëmijët të mund të lundrojnë më pas në botën digjitale dhe duke vendosur një shembull pozitiv në internet për nxënësit e tyre. Edhe politikbërësit, përmes strategjive të ndikojnë në qeverisje dhe legjislacion në mënyrë që mirëqenia e fëmijëve në botën virtuale të jetë sa më e lartë. Të gjithë mund ta bëjmë një internet më të mirë”, thekson Zymeri.
Rrapi, një djalë 12-vjeçar, thotë se 3 deri ne 4 orë në ditë e përdor internetin. Ai thotë se po ta lejonin prindërit do të rrinte edhe më gjatë në internet, qoftë duke luajtur lojëra online me shokë apo edhe në rrjete sociale. Por, ai thotë se shpesh e kontrollojnë prindërit dhe ia caktojnë kohën sa ai mund të qëndrojë pranë ekranit.
“Unë rri në internet deri në 3 orë në ditë. Ndodh edhe më gjatë ndonjëherë. Për shembull, kur jam duke luajtur lojën online Fortnite, unë rri edhe më gjatë. Por, edhe në Instagram kaloj kohë të gjatë. Marr kritika nga prindërit sepse ata dëshirojnë që unë të kaloj më pak kohë pranë ekraneve, por po të kisha mundësi unë do të kaloja edhe më gjatë sesa kaq sa kaloj”, tha ai.
Se sa mund të jenë të rrezikuar fëmijët nga qëndrimi i gjatë në internet përmes pajisjeve të teknologjisë informative, Teuta Zymeri, thotë se nuk ka një hulumtim më të ri dhe se kryesisht janë ato që janë zhvilluar më herët.
“Ne kemi dy vite që nuk kemi bërë hulumtime në këtë fushë, por nga hulumtimet që i kemi bërë më herët dhe gjatë punës së përditshme, del se fëmijët nuk janë të sigurt gjatë përdorimit të internetit. Fëmijët përballen me rreziqe të shumta, qoftë të privatësisë, si shpërndarje të videove dhe fotove personale, takimi me njerëz të panjohur”, tha Zymeri.
Ndryshe, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në bazë të një ankete të bërë rreth përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK) për vitin 2018, del se 93.2% e ekonomive familjare në Kosovë kanë pasur akses në internet nga shtëpitë, nga çfarëdo pajisje.
Aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së që lëshojë dokument të fa...
Rritet numri i të vrarëve në sulmin rus në Odesa
Chiesa rikthehet në Itali, afër gjigantit italian
Bedri Hamza në Zvicër: Diasporën do ta kemi edhe në Kuvend d...
Ishte në kërkim nga drejtësia, arrestohet një 40 vjeçar në H...
Mickoski: Është koha të flasim për ardhmërinë