Facebook nuk do të ndihmojë më fushatat elektorale

18:22 | 22 Shtator 2018
A. B.

Facebook nuk do të dërgojë më punonjës të tij të punojnë në zyrat e fushatave elektorale të partive gjatë zgjedhjeve, njoftoi kompania.

Rrjeti social zakonisht ofronte staf për fushatat politike për t’i ndihmuar ata në zhvillimin e fushatave të tyre të reklamave online. Drejtori dixhital i Donald Trump për zgjedhjet e 2016, ka thënë se ndihma e Facebook-ut ka kontribuar në fitore. Facebook ndërkohë tha se edhe Hillary Clintonit i ishte ofruar e njëjta asistencë, por ajo e kishte refuzuar.

Rrjeti social është në fakt platforma e dytë më e madhe e reklamave online, pas Google. Google dhe Twitter po ashtu ofrojnë këshillim të specializuar për fushatat politike, por këto nuk kanë dhënë sinjale se do t’i japin fund praktikës.

Facebook tha se do të ofronte këshilla reklamimi falas për të gjitha partitë politike në uebsajtin e tij. Sidoqoftë, fushatat mund të marrin ende mbështetje online dhe kompania nuk përjashton mundësinë e zhvillimit të takimeve me politikanë.

Sipas dokumentave të brendshëm, të para nga Bloomberg, fushata e Donald Trump kishte shpenzuar 44 milionë dollarë në reklama në Facebook nga qershori deri në nëntor 2016, krahasuar me 28 milionë të fushatës së Hillary Clinton.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme