Shefi ekzekutiv i kompanisë “Tesla”, Elon Musk, ka thënë se Berlini do të jetë qyteti i parë evropian ku prodhuesi i veturave elektrike do të ndërtojë fabrikë. Ky vendim është pjesë e planit për zgjerimin e rrjetit të fabrikave në tërë botën.
Përpos fabrikës, Musk tha se kompania e tij do të ndërtojë në kryeqytetin gjerman edhe një qendër për inxhinieri dhe dizajn të veturave. Më parë, Tesla kishte thënë se synon ta fillojë prodhimin e veturave në Evropë në vitin 2021.
Ky vendim vjen pasi kompania e veturave elektrike, e cila ka investuar shumë në një fabrikë në Kinë, po përballet me rritje të konkurrencës në tregun e këtij lloji të veturave për shkak të planeve të prodhuesve të tjerë për rritjen e investimeve në vetura me rrymë.
Shefi i Tesla-s e bëri të ditur këtë lajm gjatë një ceremonie për ndarjen e çmimeve për vetura në Gjermani. “Të gjithë e dinë se inxhinieria gjermane është e jashtëzakonshme dhe kjo është njëra ndër arsyet që ne do ta ndërtojmë fabrikën në këtë vend”, tha ai.
Ai njoftoi se fabrika do të ndërtohet afër aeroportit të ri të Berlinit dhe në të fillimisht do të prodhohen veturat e modelit Y dhe bateritë për vetura.
Vendimi i kësaj kompanie për ndërtimin e fabrikës në Gjermani po vlerësohet edhe si rezultat i rritjes së kërkesës për vetura elektrike në Evropë. Përpos Evropës, Tesla ka investuar mjaft shumë edhe në Azi. Kompania i ka ndarë 2 miliardë dollarë për ndërtimin e fabrikës në Shanghai, shkruan “BBC”./Express
Drenusha- Rovenës: Ti doje të kishe diçka me Atillën, edhe m...
Krasniqi-kreut të SBASHK’ut: Sfidave të mësimdhënësve iu vje...
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Prokuroria në Prishtinë ngriti 121 aktakuza ndaj 126 persona...
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...
Parandalohet edhe një rast i kontrabandës me mallra