Autoritetet shëndetësore duan të marrin të dhëna nga operatorët e telefonisë celulare që të krijojnë profile të lëvizjes së shtetasve. Një ndërhyrje në të drejtën themelore të vetëvendosjes informative?
“Të gjitha masat që merren për përpunimin e të dhënave duhet të jenë të nevojshme, të përshtatshme dhe proporcionale. Deri tani, nuk ka asnjë provë që të dhënat e vendndodhjes individuale të ofruesve të telefonisë celulare mund të ndihmojnë në përcaktimin e personave të kontaktit.” Me këtë mesazh në twitter i komentoi të dielën ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen nga Infeksionet, të propozuara nga Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn, zyrtari më i lartë i Gjermanisë për Mbrojtjen e të Dhënave, Ulrich Kelber. “Ligji për mbrojtjen nga infeksionet” tingëllon mirë, por ndryshimet që propozohen përmbajnë disa elementë shpërthyes.
Gjurmimi i telefonit celular
Çdo krizë është një katalizator. Për sfida të mëdha, siç është pandemia e Coronas, vendimmarrësit duhet të gjejnë përgjigje shpejt. Që në fillim të marsit, Instituti gjerman Robert Koch e diskutoi mundësinë e krijimit të profileve të lëvizjes të personave të infektuar me Corona, duke ndjekur telefonin celular. Kjo nuk ka për qëllim vetëm të sigurojë informacione për përhapjen e virusit, por edhe të zbulojë dhe paralajmërojë personat e mundshëm të kontaktit dhe kështu të kontribuojë në kufizimin e përhapjes. Në Azi, veçanërisht në Kinë, autoritetet shëndetësore e përdorin këtë mjet prej kohësh.
Javën e kaluar, Deutsche Telekom i përcolli për herë të parë pesë gigabajt të dhëna telefonike shkencëtarëve në Institutin-Robert-Koch. Studiuesit aktualisht po negocionojnë për marrjen e të dhënave nga operatori Telefonica. Sipas rregulloreve në fuqi për mbrojtjen e të dhënave, të dhënat e gjurmimit mund t’i kalojnë Institutit Koch vetëm në bazë vullnetare, vetëm në mënyrë anonime dhe për qëllime jo tregtare. Çdo gjë tjetër nuk është as proporcionale, as e ligjshme. Por gjykatësi i Berlinit, Ulf Buermeyer dyshon nëse të dhënat vullnetare, anonime të grupit mund të përdoren për luftën me virusin.
Profilet e lëvizjes dhe aplikacionet e spiunimit
Shqetësimet për mbrojtjen e të dhënave nuk luajnë një rol po aq të rëndësishëm kudo, sa në Gjermani. Shërbimi Kombëtar Britanik i Shëndetit NHS po planifikon gjithashtu një vlerësim qendror të të dhënave të telefonave celularë. Në Austri, operatorin më të madh celular A1 e detyruan të vërë në dispozicion të dhënat e mbi pesë milionë përdoruesve të tij. Kjo në një kohë kur nuk janë të mundshme konstatimet e profileve të lëvizjes për përdorues individualë, por vetëm për grupe më të mëdha. Edhe gjigantët e internetit Google dhe Facebook gjithashtu thuhet se tashmë po negociojnë me qeverinë e SHBA për përcjelljen e të dhënave të përdoruesve.
Izraeli shkoi edhe një hap më tej: shteti i vogël tha javën e kaluar se do të ngarkojë shërbimin e tij të fshehtë Shin Bet për gjurmimin e telefonave celularë të personave të infektuar. Burimet dhe përvoja e nevojshme atje janë gjithsesi në dispozicion, u argumentua. Vërtet që gjykata më e lartë izraelite fillimisht e ndaloi këtë procedurë, por ajo mund të kapërcehet duke deklaruar një ndalim-dalje të plotë ose duke vendosur kontrolle speciale parlamentare për gjurmimin e të infektuarve me Corona.
Vëmendje më tej nga Izraeli tërhoqi kompania e famshme dhe famëkeqe e sigurisë kibernetike NSO-Group. Sipas raporteve të shtypit amerikan, ajo ka zhvilluar një aplikacion që pretendohet se përdor të dhëna të telefonit celular për të ndjekur përhapjen e Coronas dhe mund të paralajmërojë përdoruesit individualë. Grupi NSO, i cili ka tërhequr vëmendjen në të kaluarën me aplikacione spiunimi, që shfrytëzojnë boshllëqet e sigurisë të mesenxherit Whatsapp, raportohet se tashmë ia ka ofruar aplikacionin autoriteteve shëndetësore të vendeve të ndryshme.
Politika shëndetësore dhe mbikqyrja masive – për se bëhet fjalë në “debatin e gjurmimit”?
Pandemia e Coronas tashmë është me përmasa historike. Ajo gjithashtu është edhe sëmundja e parë globale, që luftohet në mënyrë digjitale. Në një kohë që mjetet digjitale si telemjekësia dhe portalet në internet janë të padiskutueshme, gjurmimi i celularëve ngjall kujtime për mbikqyrjen digjitale në masë. Pas zbulimeve të Edward Snowden-it, kush e kishte menduar se do të ishte një pandemi globale që do të zbulonte përfitimet dhe rreziqet e teknologjisë digjitale me një forcë të tillë? A duhet të mblidhen të dhënat personale (të telefonit celular) për të gjetur personat e infektuar dhe personat e kontaktit? Deri tani, kjo dilemë dukej se prekte vetëm policinë dhe shërbimet e fshehta. Pastaj erdhi Corona dhe tregoi se mbikqyrja digjitale në sektorin e shëndetit ndoshta mund të shpëtojë jetë.
Debati për gjurmimin e telefonave celularë në krizën e Coronas është pra debat për një çështje kryesore të demokracisë: për ekuilibrin midis sigurisë dhe lirisë. Vende të ndryshme e kanë zgjidhur ndryshe barazpeshën e mbrojtjes së të dhënave dhe masave paraprake të sigurisë. Në Izrael, ku shërbimet sekrete dhe mbikqyrja perceptohen kryesisht si mbrojtje, ka shumë më pak rezerva për të përdorur gjurmimin e telefonit celular për të luftuar Coronan. Në Gjermani, nga ana tjetër, Ministrit të Shëndetësisë Spahn iu desh ta hiqte për momentin fragmentin e diskutueshëm nga ligji. Autoritetet shëndetësore fillimisht nuk do të marrin kompetenca të shërbimeve të fshehta. Në vend të kësaj, Ligji i ri për Mbrojtjen nga Infeksionet flet për këshillime të mëtejshme mbi përdorimin e ardhshëm të gjurmimit të telefonave celularë. DW
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...