10 shtete padi kundër Google: Ka monopol të reklamave në internet

17:22 | 17 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Dhjetë shtete amerikane, të udhëhequr nga Teksasi, do të padisin Google, duke e akuzuar atë se po ruan monopolin e reklamave në internet.

Sipas shteteve që kanë nisur këtë proces gjyqësor Google ka bërë një marrëveshje të fshehtë me Facebook dhe ka manipuluar ankandet e reklamave në internet.

Google ka reaguar lidhur me këto akuza duke i mohuar dhe shtoi se do të tregonte të gjitha provat në gjykatë.

“Ne kemi investuar në shërbimet më të fundit të teknologjisë së reklamave që ndihmojnë bizneset dhe përfitojnë konsumatorët. Çmimet e reklamave dixhitale kanë rënë gjatë dekadës së fundit. Tarifat e teknologjisë së reklamave po bien gjithashtu. Tarifat e teknologjisë së reklamave të Google janë më të ulëta se mesatarja e industrisë”, tha një zëdhënës i kompanisë.

Ndërkohë Facebook nuk ka pranuar të komentojë këto akuza që janë ngritur nga 10 shtete në SHBA. Procesi gjyqësor synon të heqë kontrollin e Google në tregun e reklamave në internet, pas forcimit të kompanisë në vitin 2008 me blerjen e DoubleClick, programi kryesor që botuesit përdorin për të shitur reklamat në internet.

Shitjet e reklamave të Google zënë mbi 80% të të ardhurave të saj. Kjo është padia me e fundit me të cilën përballet gjigandi i teknologjisë, pasi është nën presion në mbarë botën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme