Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Brad Greenberg, të martën e ka publikuar listën e gjerë me emrat e lojtarëve të ftuar në përgatitjet për parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.
Në fakt, trajneri amerikan nuk e ka zbuluar listën në konferencë për media, por këtë e ka bërë përmes Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), e cila ua ka dërguar mediave vetëm një deklaratë të selektorit dhe listën e tij.
“Ashtu siç kam thënë në grumbullimin e parë i kam ftuar një grup më të madh të lojtarëve, si dhe disa basketbollistë të rinj në mënyrë që të fitojnë përvojë. Ka edhe prej atyre lojtarëve të cilët vitin e kaluar nuk ishin pjesë e Përfaqësueses, por që sivjet kanë shprehur dëshirë ta bëjnë një gjë të tillë dhe ne i kemi ftuar”, ka thënë Greenberg.
“Përgatitjet do t’i fillojmë më 1 korrik, ndërsa lista e gjerë pritet të ngushtohet pas dhjetë ditëve të para, pra para se të fillojnë ndeshjet miqësore brenda dhe jashtë vendit. Ndërkaq unë besoj se 12 lojtarët që do të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës në këtë fazë parakualifikuese do të jenë ata që do ta vlerësojnë shumë fanellën e kësaj skuadre dhe ata që në muajin korrik dhe gusht do të mendojnë vetëm për punën në Përfaqësuese”, ka theksuar ai.
Sidoqoftë, kjo listë përmban dy risi. Erjon Kastrati dhe Lis Shoshi, të cilët më herët kishin refuzuar Kosovën, tani kanë pranuar t’i bashkohen asaj. Kastrati bënë karrierë në Slloveni dhe ishte afër Përfaqësueses A sllovene, kurse Shoshi vjen në Kosovë nga Shtetet e bashkuara të Amerikës. Shumica e lojtarëve tjerë janë të njohur për kosovarët, pasi në vitin e kaluar kanë luajtur për Kosovën në eliminatoret për “EuroBasket 2017”, ku skuadra jonë shtetërore – përveç që nuk e ka fituar asnjë ndeshje prej gjashtë sosh sa i ka zhvilluar – është paraqitur shumë zbehtë. Në listë figurojnë edhe emrat e tre amerikanëve të natyralizuar: Scott Bamforth, Shawn Jones dhe ylli i Barcelonës, Justin Doellman.
Kosova në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” do të garojë në Grupin C bashkë me Estoninë dhe Maqedoninë. Ndeshjet në mes tyre do të zhvillohen prej 2 deri më 20 gusht. Para këtyre ndeshjeve, Kosova do t’i zhvillojë edhe tri miqësore. Si vendase do të luajë me Tunizinë, kurse do t’i vizitojë Austrinë, Sllovakinë dhe Shqipërinë.
Tayna hyn të hënën në Big Brother VIP Kosova
Londinezët synojnë ta ndalin hovin e “The Reds”/...
Kurti: Në Gjilan për të rikonfirmuar mbështetjen mbarë popul...
Trump mbështet Musk mbi çështjen e vizave për punonjësit e h...
Samsung Galaxy Ring 2 mund të jetë një befasi
City rikthehet tek fitorja në Premier League, mposhtë Leices...