Zvicra fiton fal Shaqirit, fitojnë edhe Italia e Gjermania

00:12 | 29 Mars 2021
Trina Galanxhi

Xherdan Shaqiri me golin e tij ia siguroi Zvicrës një fitore minimale kundër Lituanisë, ndërkohë që Italia dhe Gjermania i fituan takimet e tyre kualifikuese, po ashtu, të dielën.

Italia e Roberto Mancinit vazhdon serinë e rezultateve pozitive dhe është në rrugën e duhur për të siguruar kualifikimin në Katar 2022.

Të kaltrit triumfuan 0-2 në Sofie përballë Bullgarisë duke marrë suksesin e dytë në grupin C kualifikues për Kupën e Botës.

Golat për Italinë u realizuan nga një për çdo pjesë. Në fraksionin e parë realizoi Belotti me 11-metërsh ndërkohë që në pjesën e dytë Locatelli i ardhur në fushë nga stoli shënoi një gol të bukur duke vulosur fitoren e Italisë.

Me pikë të plota në këtë grup është edhe Zvicra që mposhti minimalisht 1-0 Lituaninë me një gol të shpejtë të Xherdan Shaqirit dhe ndan kryesimin së bashku me Italinë.

Mori fitoren e dytë në eliminatore edhe Gjermania që në grupin J u mjaftua me një gol të Serge Gnabry-t për të mposhtur Rumaninë në Bukuresht.

Gjermania krijoi shumë në këtë sfidë por në fund u mjaftua me vetëm një gol për të marrë tre pikët e radhës. Po në këtë grup një sukses të thellë regjistroi Maqedonia e Veriut që mposhti 5-0 Lihtenshtejnin.

Enis Bardhi hapi serinë e golave në pjesën e parë për Maqedoninë e Veriut ndërkohë që për t’i dhënë fitoren e parë në grup skuadrës së trajnerit Angelovski realizuan Trajkovski dy herë por edhe Elmas e Nestorovski me penallti.

Në grupin I ku bën pjesë edhe Shqipëria morën fitore të lehta, Polonia dhe Hungaria që kaluan respektivisht 3-0 dhe 0-3 Andorran dhe San Marinon. Dy gola realizoi Leëandoëski për polakët ndërkohë që te hungarezët shënuan tre sulmues Szalai, Sallai dhe Nikolics.

Barazim 1-1 mes Ukrainës dhe Finlandës me Pukkin që iu përgjigj në fund golit të Junior Moraes. Me të njëjtat shifra u mbyll edhe sfida mes Izraelit dhe Skocisë në grupin F, aty ku Austria mposhti 3-1 me përmbysje Ishujt Faroe me golat e Dragovic, Baumgartner dhe Kalajdzic./SS/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme