Kalimi te Reali, ndryshimi mes Anglisë dhe Spanjës, raporti me Zidane; rrëfehet Hazard.
Eden Hazard ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s, para se të debutojë me Real Madridin në Champions.
Ylli belg rishikoi karrierën e tij, foli për nënshkrimin e kësaj vere me klubin e bardhë, vuri në dukje ndryshimet midis Premier League dhe La Liga, si dhe iu referua marrëdhënies që ka me trajnerin Zinedine Zidane: “Të luaja me Real Madridin ishte në planet e mia, ishte një ëndërr, tashmë e realizuar”.
Nënshkrimi me Real Madridin – “Kjo lëvizje ishte në planet e mia. Kur isha te Chelsea e kisha një ëndërr, që të luaja një ditë për këtë klub. Unë nuk e kisha pritur të luaja shtatë vite te Chelsea, por në fund gjithçka shkoi mirë dhe pata mundësinë të toja diçka çdo vit. Mendoj se kjo është arsyeja pse kam qëndruar atje kaq gjatë. Tani është një ëndërr e realizuar, që të jem këtu, në Madrid, dhe shpresoj të fitoj sa më shumë”.
Lidhja me ngjyrën e bardhë – “Mendoj se ka ndikuar fakti që Zidane (idhulli im) luante te Real Madridi, kur e fillova karrierën në futboll. Pastaj, ishte historia e këtij klubi të madh, fanella e bardhë dhe “Bernabéu”. Real Madridi mendoj se ka stadiumin më të mirë. Përveç kësaj, kur isha fëmijë mbështesja Realin, kështu që edhe unë desha të vija këtu, për këto arsye”.
Lidhja Real Madrid-Champions – “Po, pasi të keni mbërritur këtu, e ndjeni këtë lidhje. Si të mos e ndjeni, kur e dini se ky është klubi që ka fituar më së shumti Champions… Kur luan te Real Madridi, edhe pse është viti im i parë këtu, konstaton se tifozët duan gjithmonë të fitojnë Championsin. Kjo është arsyeja pse mendoj se ka kaq shumë pritshmëri të paravendosura në këtë garë dhe pse Reali e ka fituar më shumë se çdo ekip tjetër këtë trofe”, raporton Telesport.
Zidane – “Kemi punuar bashkë më shumë se një muaj dhe jam i lumtur. Ndihem si një fëmijë i vogël, jo vetëm për të, por edhe për lojtarët e tjerë. Unë po mësoj çdo ditë dhe po e njoh ambientin. Është mirë të punosh me një trajner, brenda të cilit jeton ende ish-futbollisti fitues. Këtë e kupton kur flisni me të. Unë thjesht duhet të mësoj prej tij dhe jam i sigurt se gjithçka do të jetë mirë”.
Kthesa e famshme e Zidane në finalen e Novena – “Nuk mendoj se e kam parë “live”. Bashkë me vëllain e babain kemi parë shumë futboll, por jo gjithmonë mund ta shihnim Ligën e Kampionëve. Në atë moment duhet të shkoja në shtrat, të pushoja. Sidoqoftë, e pashë të nesërmen, përsëri e përsëri, shumë herë në ditët në vijim. Unë dhe Thorgan (vëllai) u përpoqëm ta kopjonim atë në kopsht, por kurrë nuk e bëmë dot një kthesë të tillë. Si një adhurues i tij që i vogël, ky mbetet një kujtim shumë i mirë. Unë i kujtoj edhe ish-lojtarët e tjerë: Raul, Figo, Ronaldo etj… Ishte bukur t’i shihje ata. Plot me yje, e tillë është e gjithë historia e Real Madridit”.
Objektivat në Madrid – “Sigurisht, kur je në një klub si ky, duhet të fitosh gjithçka dhe të shënosh. Sidoqoftë, unë gjithmonë kam vepruar në të njëjtën mënyrë. Kjo është ajo që do të përpiqem të bëj akoma. Përpiqem të jem sa më i lumtur në fushë, rezultatet do të vijnë. Në këtë klub të shkëlqyer dua t’i bëj njerëzit të më shohin më shumë, të fitojmë ndeshje e trofe, të shënoj sa më shumë gola. Është pak a shumë si ajo që bëra te Chelsea, por do të përpiqem për më mirë këtu, nëse është e mundur”.
Prezantimi në Madrid – “Ishte special. E ndryshme ishte konferenca për shtyp, shikoja tërë ata tifozë, të gjitha ekranet etj. Presidenti duke mbajtur fjalim, të gjitha kamerat që janë mbi ju… Unë mendoj se nuk mund ta përshkruaj si duhet atë moment. Ndien shumë emocione dhe në të njëjtën kohë është diçka e këndshme. Unë ndihem më mirë kur më asin këmbët në fushë se në deklarata e prezantime”.
Futbolli spanjoll – “Unë mendoj se këtu tifozët janë vërtet tifozë. Në kohën që isha te Chelsea dhe humbnim, ishim të gjithë të zhgënjyer, edhe tifozët, por kurrë nuk e ndieja këtë si një fatkeqësi. Kjo është ndryshe në Spanjë. Futbolli këtu është gjithçka për tifozët”.
Çfarë duhet të përmirësojë – “Shumë gjëra. Të luash në një ligë tjetër do të thotë që të mësosh gjëra të reja. Stili i lojës është pak më ndryshe, ashtu si përgatitja për ndeshjet. Ka gjëra që mund t’i mësosh çdo ditë. Është e vështirë të them nëse mund të përmirësohem teknikisht apo taktikisht, ama e di se gjithmonë duhet të mësosh gjëra të reja. Kam bërë një pakt me veten, do t’i mësoj gjërat gradualisht”.
Hobet – “Më pëlqen basketbolli, por nuk ka problem nëse kaloj tri javë pa shikuar një ndeshje nga ky sport. Unë luaj futboll çdo ditë, por është mirë të shkëputem nga herë pas here. Më pëlqen të kaloj kohë me familjen, ose të merrem me sporte të tjera. Dal me gruan time dhe bëj jetë familjare”.
Kanada, Kryeministri Trudeau dënon protestat e dhunshme në M...
Sulmohet me raketa agjencia paqeruajtëse e OKB-së në Liban
Stuhi, reshje shiu dhe dëbore godasin Shtetet e Bashkuara
Mali i Zi “plotësisht gati” që ura mbi lumin Buna të përfund...
Rina Balaj dhe Mato Lale publikojnë këngën “Të dy”
Qytetarët ankohen për ngecje të punimeve në rrugën Prishtinë...