Arbër Zeneli të dielën e kaluar realizoi gol të bukur me goditje nga këndi.
Skuadra e tij, Reimsi, megjithatë u mposht nga Bresti.
Të mërkurën, futbollisti i Kosovës asistoi në fitore, në elitën e futbollit francez.Të shtunën, Zeneli synon që të bëjë tjetër paraqitje solide dhe ta ndihmojë ekipin e tij të arrijë rezultat pozitiv në udhëtimin te Marseille, në ndeshjen që nis në orën 19:00.
Ai synon që ta mbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme një vit të vështirë me pandeminë COVID-19 dhe me lëndime të shumta sa i takon atij.25-vjeçari pati probleme të shumta fizike që nga viti i kaluar kur u lëndua në minutën e 38-të në ndeshje kundër Malit të Zi, në qershor. Ishte ndeshje e rëndësishme kualifikuese për “Evropianin 2020”.
Mungoi plot 33 ndeshje te skuadra e Reimsit për shkak të dëmtimit të rëndë në ligamentet e gjurit.U rikthye në fushë me Reimsin e me Kosovën duke luajtur në disa ndeshje, por pas duelit me Slloveninë në Ligën e Kombeve, në stadiumin “Fadil Vokrri” mungoi edhe në katër takime të tjera.Edhe rikthimi i dytë ishte i vështirë, me pak minuta në fushë.
Por goli i shënuar në fundjavën e kaluar ka dhënë shpresë dhe besim të plotë te futbollisti kosovar.
Ai në minutën e 65-të realizoi me goditje nga këndi dhe e barazoi rezultatin në 1:1 në ndeshjen e Reimsit në udhëtim te Bresti, duel të cilin në fund Reimsi e humbi 2:1.Goli i tij u vlerësua si ndër më të bukurit në futbollin francez në xhirot e fundit.
Nga këndi nuk kishte shënuar askush prej vitit 2018, sipas mediave franceze. I fundit që e kishte bërë një gjë të tillë ishte Angel Di Maria i PSG-së në vitin 2018, në fitoren 4:2 ndaj Nimesit.
“Më kanë uruar shumë njerëz këtu në Francë. Më ka uruar shoqëria e familja ime. Në klub janë gëzuar edhe më shumë, pasi unë arrita të shënoja gol pas lëndimit tim të gjatë.
Kam realizuar gol të bukur, një prej më të mirëve, por dua që t’i bëj të ndihen mirë të gjithë me paraqitje të mira edhe në vazhdim”, ka thënë Zeneli për KOHËN, të premten.Para golit të së dielës, Zeneli për herën e fundit kishte shënuar më 11 maj të vitit të kaluar.
Kishte afër dy vjet pa u gëzuar për gol në ligë, ndonëse kishte shënuar në disa miqësore.Shënimi i tij të dielën ka rënë edhe në sytë e mediave spanjolle.“Spanja të marrë shënime: gol spektakolar nga kosovari Zeneli me Reimsin”, ishte titulli që gazeta “Marca” e kishte vënë në artikullin për futbollistin e Kosovës.
Spanja do të jetë kundërshtare e Kosovës në kualifikimet për “Botërorin 2022”, që do të nisin në muajin mars të vitit tjetër.“Luis Enrique dhe ekipi duhet t’i analizojë rivalët e Spanjës në kualifikimet për Kupën e Botës ‘Katar 2022’, përfshirë edhe ekipin e Kosovës.
Mesfushori i Reimsit, Valon Berisha, është njëri prej lojtarëve më të mirë dhe njëri prej rreziqeve nga ekipi kosovar… por nuk bën të mos e shikojmë bashkëlojtarin e tij Arbër Zeneli.
Mesfushori kosovar i Stade Reimsit shënoi nga goditja këndore të dielën kundër Brestit. Gjuajtje nga ndërprerja që duhet të analizohet hollësisht nga stafi i trajnerëve të ‘La Rojas’”, thuhet tutje në shkrimin e “Marcas”.Ky fakt e ka gëzuar shumë futbollistin mitrovicas dhe e ka trimëruar njëkohësisht.
Ai beson fuqishëm se i ka lënë prapa të gjitha problemet me lëndime që i ka pasur, sidomos ato të edicionit që shkoi.
“Besoj fuqishëm se do të luaj mirë edhe me ekipin, edhe me Përfaqësuesen e Kosovës”, thotë Zeneli, që e pranon se i ka munguar goli shumë.“Më ka munguar goli, por unë jam duke punuar fort pas lëndimit dhe do të arrij formën e duhur si në kampionatin francez, ashtu edhe me Kosovën.
Golat do të vijnë edhe në vazhdim dhe do t’i gëzoj të gjithë fansat e mi”, ka theksuar ai.Arbër Zeneli është pjesë e elitës së futbollit francez me Reimsin prej janarit të vitit të kaluar.
Në edicionin 2018/19 ishte në formë të mirë dhe në 15 ndeshje sa luajti në total, pati tre gola të shënuar e po aq asistime.
Në edicionin pasues luajti pas rikthimit nga lëndimi vetëm pesë minuta kundër Monacos.Sivjet ka pasur më shumë paraqitje, ka luajtur në 13 takime gjithsej. 11 i ka në Ligue 1 të Francës dhe dy të tjera në kualifikime të Ligës së Evropës.Në Francë ka një gol të shënuar e dy asistime.
“Besoj se do ta ruaj dhe do të vazhdoj me këtë formë. Do të punoj pa u ndalur në asnjë moment, dhe të kthehem njësoj si më parë, me më shumë suksese”, përfundoi Zeneli.
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua
Trajneri i Empolit i frikësohet një largimi të mundshëm të I...