Mund t’i numërosh me gishta futbollistët që kanë dalë nga futbolli kosovar për të bërë karrierë të bujshme jashtë vendit.
Izolimi shumëvjeçar, por edhe niveli i futbollit të këtushëm ia kanë pamundësuar daljen e lojtarëve jashtë vendit dhe gjenerata të tëra “janë djegur”.
Mirëpo, tash janë hapur më shumë dyert për talentet e rinj që nga vendlindja e tyre të dalin në arenën ndërkombëtare.
Një rast i tillë është edhe ai i Edon Zhegrovës, shkruan sot gazeta Zëri.
Futbollisti prishtinas e ka zënë “trenin” me kohë dhe vitin e kaluar e ka marrë rrugën drejt futbollit evropian, ku ka depërtuar suksesshëm.
Fillimisht ai tregon se e kishte marrë në skuadër presidenti i Standard Lieges nga Prishtina për ta shitur tek ekipi Westervee, ku ia ka mundësuar Edonit ta marrë me vete në Belgjikë edhe familjen.
Aty ka ushtruar një vit, por nuk ka pasur të drejtë loje pasi Kosova nuk ishte pjesë e UEFA-s dhe e FIFA-s. Më pas ai ka shkuar në Genk, me të cilin ka nënshkruar kontratë trevjeçare.
Dy javë më parë Zhegrova debutoi në ekipin e parë të Genkut në ndeshje me Gentin, ndërsa javën e kaluar arriti të asistojë në njërin nga golat e skuadrës belge. 18-vjeçari ndihet i lumtur që i është realizuar ëndrra, ndërsa synim i tij afatshkurtër është që të zërë vend në ekipin e parë.
“Ndihem shumë mirë, jam i lumtur që e kam realizuar ëndrrën të debutoj, të luaj, në moshën 17-vjeçare të debutoj, të bëhem futbollist profesionist. Shpresoj të kem sa më shumë minuta këtë sezon. Madje, në ndeshjen e dytë kam luajtur më shumë, jam futur në lojë në minutën e 75-të dhe kam bërë asist për gol. Sa u përket synimeve, së pari do të mundohem të marr minutazh sa më shumë, pastaj të fitoj sa më shumë lojë me Genkun”, deklaroi fillimisht Zhegrova.
Ai ndihet mirë që e ka familjen afër, pasi thotë se për të ka rëndësi të madhe përkrahja e familjes, kur dihet mentaliteti i shqiptarëve në përgjithësi dhe lidhja e tyre e ngushtë me familjen.
Ndër të tjera Edoni synon të bëjë paraqitje sa më të mira me Genkun, pasi tregon se janë disa klube të mëdha evropiane që janë duke e përcjellë.
Deri më tash Zhegrova nuk e ka pasur rastin e as mundësinë ta përfaqësojë Kosovën në grupmoshat e reja. Por, ai nuk e fsheh dëshirën që një ditë të vishet Verdhekaltër, pasi është i lidhur ngushtë me vendin ku u lind dhe u rrit, pa marrë parasysh se po bën karrierë jashtë vendit.
“Unë deri më tash nuk kam marrë ndonjë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës. Por, normalisht, unë jam rritur në Kosovë dhe e dua vendin tim. Nëse më thirrin, unë jam në dispozicion. Zemra më rrah për vendin tim”, thotë Edoni.
Në fund ai i ka falënderuar klubet e tij të mëparshme, Flamurtarin dhe Prishtinën, ku ka kaluar mjaft mirë, për gjithçka që i kanë dhënë, me shpresën se do t’ua zbardhë fytyrën atyre, por edhe krejt Kosovës me karrierën që do ta bëjë në Evropë.
Ishin pikërisht paraqitjet e tij në këto dy klube, sidomos tek Bardhekaltrit ato që ia mundësuan depërtimin në futbollin me peshë. Ai ishte njëri prej talenteve më të mëdhenj të prishtinasve.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...