Zbulohet kuptimi i tatuazhit “Katana 138” i lojtarit të Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku

12:06 | 11 Shtator 2023
L G

Shqipëria mori mbrëmjen e 10 shtatorit një fitore të “artë” kundër Polonisë me rezultatin 2-0, çka lë të hapur ëndrrën për “Euro 2024”.

Ajo se çfarë ra në sy pas golit të dytë të Mirlind Dakut ishte tatuazhi që ai mbante mbi shpinë ku shkruhej “Katana 138”.

Eksperti, Drizan Shala, në një intervistë për Euronews Albania ka zbuluar se çfarë kuptimi kishte tatuazhi i djaloshit nga Kosova.

Sipas tij, “Katana 138” është nofka e heroit të UÇK-së Agim Ramadani, ndërkohë që këmba në tatuzah i përket gjeneralit Hysen Berisha, i cili ishte personi i parë që shkeli kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë pas hapjes.

“Ne kemi patur një kufi një- shekullor, shqiptaro-shqiptar që është quajtur pikërisht “Brigada 138”, ku më pas, pas rënies heroike të Agim Ramadanit mori edhe emrin Brigada 138.

Nënoficerët e shkolluar në Perëndim në bashkëpunim me autoritetet shqiptare kanë caktuar hapësirën ku mund të ndërhyjnë dhe ku mund ta thyejnë kufirin shqiptar.

Këmba e ushtarit që është e vendosur mbi gurin pikërisht këmba e parë e vendosur ishte këmba e gjeneralit Hysen Berisha, deputetit aktual të Partisë Demokratike të Kosovës. Katana është simboli, sinonimi i Agim Ramadanit, 138 është numri i brigadës, këmba e ushtarit të lirisë i përket Hysen Berishës. Në shumicën e paraqitjeve thotë që kjo është këmba e lirisë, e një ushtari por është këmba e tij e parë e cila shkeli këtë kufi. Kjo dëshmon shumë pasi nga aty filloj rënia e Serbisë dhe filloi ngritja e Kosovës”- tha Shala.

Të ngjashme