Google ADS

Zbulohet arsyeja pse PSG-ja u tall me Haalandin

11:15 | 12 Mars 2020
A. B.

Skuadra e Paris Saint-Germainit u tall me superyllin e Borussia Dortmundit, Erling Haalandin, pasi e eliminuan gjigantin gjerman nga Liga e Kampionëve pas fitores të së mërkurës. Ky veprim i parisienëve u shkaktua nga një postim i Haalandit në rrjete sociale.

Dy golat e shënuara nga Erling Haaland ia kishin dhënë Dortmundit epërsinë me rezultat 2:1 në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, para ndeshjes kthyese që u zhvillua pa tifozë në Francë, transmeton Gazeta Express.

Ylli norvegjez ka qenë në qendër të vëmendjes në futbollin evropian këtë sezon, për shkak të formës së mrekullueshme që ka shfaqur si në fillim të sezonit me RB Salzburgun e pastaj sërish në pjesën e dytë të sezonit me Dortmundin, që e zgjodhi para Manchester Unitedit.

Haaland është i njohur edhe për festimin e tij të zakonshëm – qëndrim në pozitë meditimi – dhe Neymari e imitoi sulmuesin në minutën e 26-të, duke festuar njëjtë si norvegjezi pas golit të tij të parë.

Ky veprim u vlerësua i çuditshëm nga tifozët në rrjete sociale për shkak se në stadium nuk kishte tifozë, mirëpo gjërat u bënë edhe më të çuditshme pas përfundimit të ndeshjes, pasi që festimin e Haalandit e imituan të gjithë lojtarët e PSG-së.

Megjithatë, pas ndeshjes u zbulua se ky veprim i skuadrës së PSG-së u shkaktua nga një postim i Haalandit në llogarinë e tij në Snapchat.

“Qyteti im, jo i juaji” kishte shkruar Haaland, mbi një fotografi ku ai e mbante veshur në bluzë të Dortmundit dhe e kishte ilustruar me fjalën “Paris”, duke e zëvendësuar A-në me Kullën Eiffel.

Me këtë fotografi, Haalandi sugjeroi se ai do të jetë sërish dominues kundër lojtarëve si Neymari e Kylian Mbappe, edhe pse ndeshja do të zhvillohej në shtëpinë e këtyre të fundit. Por, në fund fitoi PSG-ja dhe lojtarët e shfrytëzuan këtë mundësi për t’u tallur me norvegjezin.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme