Një ndeshje e jashtëzakonshme u zhvillua ndërmjet Pejës dhe Golden Eagle Yllit, duke vërtetuar epitetin e derbit, ku fitore shënoi skuadra therandase me rezultat 87:90 (22:20, 27:18, 22:20, 16:32), në kuadër të xhiros së nëntë të Ligës Unike.
Çereku i parë i ndeshjes ishte i barabartë, ku epërsia më e lartë, u takoi mysafirëve 10:16, por më pas kjo epërsi u shkri dhe pejanët arrijnë që këtë pjesë ta fitojnë me dy pikë dallim, 22:20,përcjell arbresh.info.
Vendasit vazhduan me lojë shumë të mirë në periudhën e dytë, për të arritur epërsinë më të lartë në ndeshje 16 pikë, 42:26 dhe e kontrolluan lojë deri në fund të pjesës së parë që përfundoi 49:38, ndërsa mysafirët e ndienin mungesën e Erjon Kastratit të lënduar.
Perioda e tretë u karakterizua si e barabartë, me kampionët që tentuan të rikthehen, por ‘humbën’ edhe dy lojtarë, Ardit Pepaj dhe Aj Sumbry, që u ndëshkuan me pesë gabime personale. Në këtë pjesë vendasit ruajtën epërsinë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 71:58. Në fillim të çerekut të fundit, për shkak të lëndimit u largua Stephen Maxwell, ndërsa therandasit bënë rikthim të madh dhe të pabesueshëm. Ata arritën që të shkrijnë epërsinë në 72:71, ku u dallua ish-basketbollisti i Pejës, Henrik Sirko, i cili shkëlqeu në këtë pjesë, i ndihmuar nga Gëzim Morina, ndërsa tre minuta nga fundi, kaluan në epërsi 80:81. Ata, madje e ngritën epërsinë në 83:88, megjithatë, vendasit shënojnë katër pikë shpejt për 87:88, kurse pikët e fundit i shënoi Leon Neziri për rezultatin 87:90, ndërsa gjuajtja e fundit e Dardan Berishës për tri pikë ishte e pasaktë dhe Ylli triumfoi në derbin e Ligës Unike.
Te Peja u dallua Stephen Maxwell me 32 pikë e gjashtë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Henrik Sirko me 24 pikë e 11 kërcime dhe Gëzim Morina me 22 pikë e tetë kërcime.
Peja ka gjashtë fitore dhe tri humbje, kurse Golden Eagle Ylli ka tetë fitore dhe një humbje.