Yjet kushtojnë 10 miliardë më pak, ja kush është lojtari më i shtrenjtë

22:24 | 7 Maj 2020
Arbresh Info

Vlerat e futbollistëve mund të pësojnë një rënie deri në 10 miliardë euro nëse sezoni aktual nuk do të përfundonte për shkak të pandemisë së Koronavirusit, zbulon një raport i fundit i grupit financiar “KPMG”.

Por edhe nëse kampionatet do ta përfundonin sezonin me dyer të mbyllura, rënia e vlerës do të vijojë, por sigurisht më e zbutuar, deri në 7 miliardë euro.

Projeksioni shqetësues vjen në momentin që kampionatet në Europë po vuajnë për të gjetur një mënyrë për të rinisur, ndërsa Liga e Parëfranceze vendosi ta shpallte të mbyllur sezonin. Por nëse ligat e tjera kryesore të kontinentit do të ndjekin të njëjtin shembull, atëherë vlera e tyre do të bjerë me mbi 25%, nënvizon raporti. Rënia dramatike parashikohet të shkojë deri në 26.5% mesatarisht për të gjithë 4.183 futbollistët e 10 kampionateve kryesore të Europës dhe vetëm prej muajit shkurt.

Në raportin e “KPMG”, thuhet se sa më moshë të madhe të ketë futbollisti, aq më i lartë është edhe ndikimi që do të ketë në vlerën e tij. Vlera e Lionel Mesit është ajo që pritet të pësojë rënien më të madhe në 10 lojtarët kryesorë në Europë, me 27.5%. Vlera e PSGsë mund të bjerë me 25.4%, por Kilië Mbape do të mbetet lojtari më i shtrenjtë në botë. Trioja e anglezëve Sterling, Sanço dhe Rashford do të pësojë një rënie të vlerës prej 13.8%, 13.4% dhe 11.4%.

Zhvlerësime edhe për De Bryne, Mane, Neymar, Hazard (vlera i zbret deri në 40 milionë), por edhe Bale, Pogba (nga 90 milionë euro, kartoni do t’i zbresë në 63.96 me anulimin e sezonit dhe 70.89 nëse ai do të vazhdojë) dhe Ronaldos dhe Donarumës. Sulmuesi i Juves e kishte vlerën përpara ndërprerjes së sezonit 86.35 milionë euro, që zbret në 74.78 me luajtjen e javëve të mbetura ose 71.82 milionë nëse mbyllet këtu gjithçka.

Një trend të tillë ndjek edhe çmimi i portierit të Milanit. 55 milionë eurot e Donarumës zhvlerësohen në 44.49 nëse mbyllet Seria A këtë sezon dhe 39.09 në rast se anulohet.

Mes lojtarëve që kanë pësuar një zhvlerësim të madh në muajt e fundit te kuqezinjtë është Lukas Paqueta. Nga 35 milionë euro, braziliani mund të shitet për jo më shumë se 20.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme