Xhudisti Akil Gjakova: Nuk i shmangem drejtësisë, s’jam i dhunshëm dhe s’kam shkaktuar dhunë

13:28 | 14 Prill 2024
E.H

Xhudisti Akil Gjakova, ka folur pas raportimeve për dyshimet se ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortës së tij.

Gjakova tha se nuk do t’i shmanget drejtësisë teksa ka bërë të ditur se nuk ka lidhje me pretendimet e publikuara në media.

Gjakova theksoi se me t’u kthyer në Kosovë do të paraqitet në polici.

“Sapo e kuptova nga mediat që policia ka urdhër për të më shoqëruar në stacion si rezultat i një denoncimi që nuk e di as arsyen, e as përmbajtjen, por e di që unë s’kam kryer asnjë krim e aq më pak ndaj bashkëshortes sime”, tha Gjakova.

“Gjithsesi, meqë kam qëlluar jashtë Kosovës dhe për momentin e kam të pamundur të kthehem, siguroj secilin se nuk i shmangem drejtësisë, nuk kam asnjë lidhje me lëndimet e publikuara në fotot që qarkullojnë në media dhe kjo do të provohet së shpejti. Me t’u kthyer në Kosovë unë do të paraqitem në polici dhe do t’i kontribuoj ndriçimit të plotë të fakteve që ata, apo kushdo institucion ka interesim”, theksoi xhudisti për Klankosova.tv

Xhudisti shtoi se familja e tij mbetet e shenjtë.

“Pavarësisht të gjitha rrethanave dhe zhvillimeve që pa faj e padrejtësisht u bëra pjesë e tyre, për mua familja mbetet e shenjtë, fëmiu im është pasuria më e çmuar që une e kam dhe do të përmbahem nga komentimi i jetës private në publik”, tha Gjakova.

“I garantoj miqtë dhe të gjithë adhuruesit e mi dhe të sportit në veçanti, se unë jam po i njëjti person që e kam bërë krenar shtetin dhe secilin dashamirës të xhudos dhe ashtu siç kam mbrojtur ngjyrat e flamurit, ashtu do ta mbrojë edhe familjen e dinjitetin tonë”, tha ai.

“Kërkoj mirëkuptimin tuaj sepse e vërteta nuk është kjo që keni lexuar, por as nuk jam i gatshëm që diskutimin për çështje familjare ta bartë në rrjete sociale”, theksoi medalisti i Evropës, Akil Gjakova.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme Prokuroria Themelore e Pejës, ka kërkuar arrestimin e tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme